RMV, Qeveria i miratoi ndryshimet në Agjendën e Reformës 2024 – 2027

Në seancën e 19-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndër të tjera u miratua edhe drafti i Agjendës për Reforma për periudhën 2024-2027, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria në mbledhjen e sotme, shqyrtoi dhe miratoi Draft Agjendën e Reformës 2024-2027 në kuadër të Planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, me status 30.04.2024 dhe pranoi të gjitha korrigjimet teknike të qëllimeve të reformës dhe hapave të ardhshëm, pas së cilës i dërgohet Komisionit Evropian”, raportoi Qeveria.

Kjo Agjendë pastaj duhet të miratohet nga Komisioni Evropian, që të hapet mundësia për nënshkrim.

“Me të do  të hapet mundësia e nënshkrimit të Marrëveshjes për instrumentin për reforma dhe rritje dhe Marrëveshjen e huas, si dhe paraqitjen e kërkesës për tërheqjen e këstit të parë, përkatësisht për avancën në vlerë prej 7% nga alokimi për vendin, përkatësisht për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, raportoi Qeveria.

Ndryshe, Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje më 4 prill për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Plani për rritje për Ballkanin Perëndimor është 6 miliardë euro. Ky Plani ishte miratuar nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.