Studentët e Maqedonisë së Veriut do të kenë një javë mundësi për të aplikuar për mjetet e transportit

Ministria për Arsim dhe Shkencë një javë do të pranojë aplikime nga studentët e rregullt që janë shtetas të Maqedonisë së Veriut për të marrë mbështetje financiare për transport, transmeton Portalb.mk.

“Thirrje publike për realizimin e mbështetjes financiare për studentët të cilët  jetojnë jashtë vendit të studimit për vitin akademik 2023/24”, sqaroi Ministria.

Kusht tjetër është edhe ajo që studentët të jenë të regjistruar në universitetet shtetërore dhe të jenë larg vendbanimit për studime.

Për të fituar mbështetjen financiare, kandidatët duhet të aplikojnë në mënyrë  elektronike në linkun në vazhdim: https://e-uslugi.mon.gov.mk/”, raportoi Ministria, duke theksuar që afati për aplikim do të jetë 7 ditë.

Ndryshe, studentët e Maqedonisë së Veriut prej muajit dhjetor kanë mundësi të shfrytëzojnë mbështetje financiare për transport. Mbështetja financiare mujore është prej 600 deri 1200 denarë. Kjo ishte një nga masat antikrizë që ishte marrë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila kishte paralajmëruar që masa do të zgjasë vetëm shtatë muaj.

Hulumtimi “Shporta Studentore e studentëve të fakultetit Ekonomik, Filologjik dhe Shkencave Mjekësore” nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka nxjerrë në pah harxhimet me të cilat përballen studentët në RMV në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” si dhe në Universitetin e Tetovës.