Do të fillojë më 18 gusht, ndërsa do të mbarojë më 31 gusht, paralajmëroi Xhaferi për seancën e ndryshimeve kushtetuese

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një intervistë për MIA-n, ka paralajmëruar që seanca për ndryshimet kushtetuese do të fillon më 18 gusht. Ai sqaroi që debati do të jetë dhjetë ditë pune, por nuk dihet kur do të jetë votimi, transmeton Portalb.mk.

“Seanca për ndryshimet kushtetuese fillon më 18 gusht dhe debati duhet të përfundojë më 31 gusht, por shprehet ai, votimi mund të shtyhet, e nëse nuk ka kushte, nuk do të ndodhë fare”, deklaroi Xhaferi.

Ai vlerësoi që përgjegjësia kryesore është e pushtetit, por kërkoi nga opozita të marrë një pjesë të përgjegjësisë.

Për miratimin e rendit të ditës në seancën e 18 gushtit duhet prezenca e 61 deputetëve, ndërsa nuk saktësohet se deri kur mund të shtyhet votimi pas datës 31 gusht.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.