Komisioni kushtetues e mbështeti propozimin për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, më 18 gusht në seancë plenare

Pas dy orë debat të ashpër me 10 vota “për” dhe 7 “kundër”, Komisioni për Çështje Kushtetuese e miratoi propozimin e Qeverisë për qasje në ndryshimin e Kushtetutës. Me këtë, praktikisht fillon procedura për ndryshime kushtetuese sipas obligimit që e ka marrë Maqedonia e Veriut në korrik të vitit të kaluar gjatë fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

Tani, propozimi do të shkojë në seancë plenare e cila është caktuar për më 18 gusht. Atëherë do të nevojitet shumicë prej dy të tretave (së paku 80 vota) që të miratohet nevoja për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe procedura të vazhdojë në fazën e ardhshme – përgatitje dhe miratim i propozim-amendamenteve.

Kjo është mundësi që vendin ta dërgojmë në Bashkimin Evropian dhe në vend të sjellim cilësi evropiane të jetesës, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në sqarimin e ndryshimeve kushtetuese. Ai theksoi se tani në radhë janë deputetët të cilët në javët e ardhshme do të tregon se kush mendon vetëm për vete dhe kush për interesat e qytetarëve dhe shtetit.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka mundësi të papërsëritshme ta bëjë hapin kyç që të vazhdojë në rrugën evropiane, ndërkaq më pas në procesin e përshpejtuar, në disa vitet e ardhshme, të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Ndryshimet kushtetuese që ndodhen para jush nuk rrezikojnë asnjë çështje identitare të maqedonasve. Njëkohësisht, propozimi i mbështet dhe intensifikon proceset drejt integrimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Për atë, qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen, ndërkaq neve si bartës të përgjegjshëm të funksioneve na mbetet që ta shpjegojmë mirë dhe të miratojmë vendime të mençura që sjellin perspektivë dhe nuk do ta bllokojnë shtetin në izolim të ri shumëvjeçar”, tha Kovaçevski.

Menjëherë pas tij foli koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, i cili paralajmëroi se do të jetë folësi i vetëm i partisë së tij. Ai tha se propozimi për ndryshime kushtetuese menjëherë të shkojë në seancë dhje të vendoset në votim. “Të shihni se si bie poshtë propozimi nën diktatin bullgar”.

:Kjo nuk është kurrfarë mundësie për zhvillimin e shtetit, por mundësi për përfitim personal në kurriz të shtetit, për edhe ndonjë “audi” – dhuratë nga fqinji, edhe për ndonjë biznes nën petkun e demokracisë… Në emër të qytetarëve ju them se nuk do të mundet, ndërkaq ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar nuk do të ketë. S’keni as deputetë e as popull”, tha Micevski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese, e caktoi seancën për sot pasi pikërisht një javë më parë Qeveria i dha dritën jeshile projekt-amendamenteve kushtetuese që paraprakisht ishin përgatitur nga grupi punues për ndryshime kushtetuese në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Në propozim-iniciativën e miratuar nga Qeveria, propozohet që në Preambulën e Kushtetutës të shtohen edhe bullgarët dhe pesë kombësi të tjera. Në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë duhet të përfshihet edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.

Për këtë pikë, Komisioni për Çështje Kushtetuese duhet të diskutojë maksimumi 10 ditë. Duke qenë se data 2 gusht është ditë jopune dhe seanca për çështjet parlamentare është caktuar për 27 korrik, njoftoi Kuvendi, puna e këtij organi pritet të përfundojë në periudhën 7-9 gusht.

Më 18 gusht, megjithatë, ndryshimet kushtetuese të propozuara do t’u paraqiten deputetëve në seancë plenare.

Përkundër faktit se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kërkuar konsensus ndërpartiak për amendamentet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja opozitare është e mendimit se nuk do të pranojë amendamente “nën diktimin bullgar”.

Në prag të seancës së sotme të komisionit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje ka takuar grupin parlamentar të kësaj partie, duke përsëritur qëndrimin se nuk do të mbështes ndryshimin e Kushtetutës.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.