“Qyqja” vjen premierë më 14 nëntor në Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup
Shfaqja “Qyqja”, me tekst të dramaturgut Elin Rahnev dhe regji të Besim Ugzmajlit, do të ketë premierën më 14 nëntor, në orën 19:00, në Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup. Në qendër të saj është raporti mes përgjegjësive që u ngarkohen fëmijëve dhe nevojës së tyre për të menduar, imagjinuar dhe shprehur lirshëm, shkruan Portalb.mk.
Regjisori Besim Ugzmajli për Portalb.mk thotë se teksti komunikon me grupmosha të ndryshme, duke vënë në qendër ndikimin e kërkesave të shkollës dhe të familjes në zhvillimin e fëmijës.
“Është një tekst goxha kompleks, i cili mund të komunikojë me shumë nivele të audiencës, duke filluar nga fëmijët. Tema ka të bëjë me përgjegjësitë me të cilat ngarkohet fëmija që nga fillimi i shkollimit. Shpeshherë këto përgjegjësi, pavarësisht se janë të domosdoshme për fëmijën, e pengojnë atë që të jetë i lirë, të mendojë dhe të imagjinojë. Prandaj, konsideroj se kjo temë ka qenë thelbësore për t’i nxitur fëmijët të mendojnë e të imagjinojnë pa frikën se do të gjykohen dhe pa u kufizuar nga diktati i disiplinës, e cila kërkohet vazhdimisht në shkolla, por edhe në familje”, potencoi Ugzmajli.

Ugzmajli shpjegon se ekipi ka zgjedhur një qasje multimediale, duke ndërthurur lojën skenike me video dhe përmbajtje zanore.
“Sigurisht, sot është tejet e vështirë që fëmijëve t’ua mbash vëmendjen në aktivitete të ndryshme, veçanërisht në shfaqjet teatrore. Është e vështirë ta ruajmë gjatë vëmendjen e tyre, për shkak të mënyrës se si ata sot edukohen e rriten, si dhe për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme që ka imazhi që konsumojnë gjatë gjithë ditës, veçanërisht përmes telefonave të mençur dhe televizorit. Prandaj, edhe ne kemi pasur një qasje më multimediale, duke u mundësuar që të shohin jo vetëm shfaqjen, por edhe video, si dhe të dëgjojnë audio që do ta shoqërojë atë gjatë gjithë kohës. Në këtë mënyrë, përpiqemi ta mbajmë sa më gjatë vëmendjen e fëmijëve dhe të nxënësve në teatër, duke u ofruar edhe përmbajtje të tjera të rëndësishme audiovizuale, që do të mundësojnë një komunikim sa më të drejtpërdrejtë me shfaqjen, por edhe që ata të mbajnë mend sa më shumë rrëfime nga kjo ngjarje”, deklaroi Ugzmajli.

Sipas regjisorit, shfaqja mund të shërbejë si pikënisje për një bisedë mbi disiplinën, pritshmëritë e të rriturve dhe lirinë e fëmijëve.
“Komunikimi mes prindërve dhe fëmijëve është tejet i nevojshëm, pasi përplasja në këtë shfaqje ndodh mes nevojës së jashtëzakonshme që fëmijët të jenë të disiplinuar dhe zhvillimit të imagjinatës së tyre. Pra, imagjinata vjen në shprehje si nevojë për të mbuluar ato pjesë ku ata nuk kanë mundur të jenë të disiplinuar apo t’u përshtaten kërkesave të të rriturve, siç janë respektimi i orarit, disiplina, raportet me shokët, me prindërit dhe me mësuesit. Kështu, shfaqja paraqet këtë kundërshti mes prindërve dhe fëmijëve, mes prindërve dhe mësuesve dhe, sigurisht, edhe mes nxënësve dhe mësuesve, përkatësisht fëmijëve dhe mësuesve. Mendoj se nga shfaqja mund të dalë një diskutim produktiv dhe i nevojshëm, i cili do të fliste për lirinë njerëzore, para së gjithash, por edhe për lirinë e fëmijëve për të menduar, fantazuar dhe imagjinuar”, tha Ugzmajli.

Në skenë do të ngjiten aktorët Flakron Aliu, Eldin Shiroki, Zarije Jonuzi Çeliku, Mumin Abdullahi, Valdeta Ismaili, Ilir Reçi, Melika Kastrati, Dea Pajaziti, Deniz Rustemi dhe Beqir Ademi.
Skenografinë e ka punuar Dardan Ahmeti, kostumografinë Medina Hoxha, muzikën Albin Sopa, ndërsa koreografinë Robert Nuha.
