Xhaferi: Mund të shtyhet votimi për ndryshimet kushtetuese derisa nuk ka shumicë

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka lënë të nënkuptohet se pas shterjes së debatit, ka mundësi që votimi i ndryshimeve kushtetuese të shtyhet deri në momentin kur të sigurohet shumica e kërkuar prej dy të tretash. Kryetari i Kuvendit pas konferencës së sotme me gazetarët tha se është një situatë e paparashikueshme, por Rregullorja e lejon këtë, pavarësisht se seanca është caktuar për më 18 gusht, e cila siç ka kujtuar Xhaferi zgjat më së shumti dhjetë ditë, transmeton Portalb.mk.

“Akti i votimit nuk është i lidhur me ditën e fundit, për të qenë të qartë për procedurat. Këtë e parasheh Rregullorja e punës, e tregon edhe praktika e mëparshme e nismave të ngjashme për ndryshime kushtetuese, sepse Kuvendi vendos nëse ka shumicën e nevojshme për vendimmarrje. Në këto korniza nuk mund të supozoj se çfarë dhe si do të ndodhë, por formalisht Kuvendi do të fillojë me debat më 18 gusht dhe akti i votimit, nëse do të jetë pas përfundimit të debatit apo do të shtyhet, varet nga situata specifike e ditëve në të cilat po zhvillohet diskutimi”, tha Xhaferi.

Koordinimi i rregullt i paraparë për të hënën nuk do të jetë për amendamentet kushtetuese, tha Xhaferi, duke shtuar se do të pajtohet me koordinatorët e grupeve parlamentare që para fillimit të seancës për amendamentet kushtetuese të mbahet takim, edhe pse formalisht deputetët do të jenë me pushime nga 1 gushti.

“Do të përcaktojmë një datë se kur do të takohemi në nivel të koordinatorëve para fillimit të seancës më 18 gusht, kështu që nuk do ta lëmë situatën “ad hoc”. Pavarësisht nëse do të jetë me koordinim apo me telefon, për çdo rast, do të punojmë për çështje organizative për angazhmanin dhe angazhimin e Kuvendit në periudhën e ardhshme”, tha Xhaferi.

Procedura për ndryshime kushtetuese filloi ditët e kaluara, pasi Komisioni Parlamentar për Çështje Kushtetuese e mbështeti propozimin e Qeverisë për qasje në ndryshimin e Kushtetutës me 10 vota “pro” dhe shtatë “kundër”.

Edhe pse debati para Komisionit Parlamentar mund të zgjaste 10 ditë, ai përfundoi për rreth dy orë, pasi koordinatori Nikolla Micevski, në emër të deputetëve të opozitës VMRO-DPMNE, përsëriti qëndrimin se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Asnjë deputet tjetër nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në diskutimin e seancës së komisionit.

Për të përfunduar fazën e parë nga gjithsej tre të procedurës për ndryshimet kushtetuese, që propozimi për qasje në andryshimet e Kushtetutës të kalojë në seancën plenare që do të fillojë më 18 gusht, nevojitet dy të tretat e mbështetjes (të paktën 80 vota). Nëse kjo ndodh, procedura do të vazhdojë me fazën tjetër – përgatitjen dhe miratimin e draft-amandamenteve. Atëherë mjaftojnë 61 vota. Mbështetja e dy të tretave kërkohet sërish gjatë votimit të tretë (fazës) – për propozim-amendamentet.

Në propozim-iniciativën e miratuar nga Qeveria, propozohet që në Preambulën e Kushtetutës të shtohen edhe bullgarët dhe pesë kombësi të tjera. Në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë duhet të përfshihet edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.

Përkundër faktit se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kërkuar konsensus ndërpartiak për amendamentet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja opozitare është e mendimit se nuk do të pranojë amendamente “nën diktimin bullgar”.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.