Geer: Është e rëndësishme të veprohet tani, nuk do të ketë marrëveshje më të mirë

Euroambasadori David Geer shpreson se, porositë e diplomatëve që vizituan vendin periudhën e fundit, do të merren parasysh, ndërsa vendimi i politikanëve do të jetë sovran, me vetëdije të lartë për atë që është interes nacional, transmeton Portalb.mk.

“Ne besojmë që vendi i këtij shteti është në BE, jo sepse jemi të sjellshëm, por sepse mendojmë se kemi interes të përbashkët dhe se kjo është ardhmëria më e mirë për vendin. Filluat me negociata, patët skrinin dhe mund të lëvizni drejt hapit të ardhshëm, do të thotë, tani me të vërtetë nuk bëhet fjalë për atë nëse vendi do të shkojë përpara me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por, do të them sërish, ai është vendim sovran”, tha ambasadori në intervistë për Slloboden Peçat.

Ai foli edhe për sjelljen e VMRO – DPMNE-së ndaj kësaj çështje, duke theksuar se, funksionarët evropiane kanë pasur mundësi të flasin me udhëheqësinë partiake dhe të ndajnë se pse ndryshimet kushtetuese janë aq të rëndësishme.

“Pse është e rëndësishme të veprohet pikërisht tani vend që të pritet në të ardhmen, sepse nuk do të ketë marrëveshje më të mirë, nuk do të ketë oferta të reja, nuk do të shohim marrëveshje të re me Bullgarinë, që do të thothë, kjo ështëë ajo që është në tavolinë tani, kjo është kompromis. E dini se, kompromisi nuk e kënaq askënd, por megjithatë jep mundësi, dera është e hapur. Takimet ishin shumë të hapura, madje edhe mjaft emociona dhe ajo është çështje e mirë, sepse ndani qëndrime të ndryshme, pikëpamje. Në fund u mbetet deputetëve që të ndërmarrin përgjegjësinë personale dhe të miratojnë vendim”, theksoi Geer në intervistë.

 

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.