Mariçiq: Gjithë vitin po e bindim opozitën për ndryshimet kushtetuese, por për fat të keq VMRO-DPMNE-ja dhe “E Majta” formuan bllok antievropian

Ne po e zbatojmë atë që Kuvendi ynë e miratoi vitin e kaluar para hapjes së negociatave. Më 16 korrik të vitit të kaluar Kuvendi ynë i miratoi konkluzionet midis të cilëve ishte edhe ky detyrim për këto ndryshime kushtetuese me të cilët në Kushtetutën, në preambulën tonë fusim edhe disa bashkësi të atyre që tashmë janë këtu. Ne po përpiqemi tashmë një vit të plotë, në mënyra të ndryshme të bisedojmë me opozitën dhe ta bindim se ky është hapi i duhur, deklaroi sonte zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, njofton Portalb.

“Për fat të keq, duke bërë rezistencë në gjithë këtë periudhë formohet një bllok antievropian dhe anti BE që e ashpërson retorikën këtyre ditëve, ndërsa i cili përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja dhe ‘E Majta’, dhe këtë e pamë edhe dje në seancë. Pothuajse pozicione identike kishin ato dy parti të cilat i bindnin të gjithë se kjo asnjëherë nuk guxon të ndodhë. Sepse në këtë mënyrë do ta ndërpresim rrugën tonë drejt BE-së ose madje se tani nuk është koha se duhet të presim ose të kërkojmë zgjidhje dhe propozime më të mira. Do të thotë variante që nuk na sjellin në qorrsokak dhe në bllokim shumëvjeçar, tha Mariçiq në intervistë për Kanal 5 në përgjigje të pyetjes se seanca e Kuvendit për ndryshimet kushtetuese është caktuar më 18 gusht pa u siguruar konsensusi i nevojshëm.

Ai tha se të gjithë qëndrimet që sot i dëgjojmë, nuk kanë munguar në negociata.

“Të gjithë këto qëndrime që sot i dëgjojmë se duhet të ketë një efekt të vonuar të ndryshimeve kushtetuese, se duhet të kishim kërkuar reciprocitet në të gjitha pjesët. Asgjë nga kjo nuk është lëshuar në negociata. Ne gjithë këtë kemi tentuar ta bisedojmë, por ky propozim që e kishim ishte kompromis nga kërkesat e tona, të cilat ishin të miratohen amendamentet kushtetuese në fund të procesit, të ketë reciprocitet edhe tek Bullgaria lidhur me aktgjykimet në Strasburg dhe erdhëm deri në pikë në të cilën arritëm kompromis me Bullgarinë, me ndërmjetësim të Francës, Gjermanisë, BE-së dhe të gjithë partnerët e tanë. Esenc e këtij kompromisi është shpjeguar disa herë”, tha Mariçiq.

Përkujtoi se në bisedimet është insistuar edhe që gjuha maqedonase të futet në kornizën e negociatave dhe se Bullgaria të tregojë me vepra se ne mund të nënshkruajmë marrëveshje me BE-në në gjuhën maqedonase.

“Beteja jonë nuk është ta bindim Bullgarinë, por BE-në që të mos e pranojë qëndrimin bullgar. Në bazë të atyre tre gjërave që i morëm, për kthim u zotuam se do t’i bëjmë ndrysjimet kushtetuese gjatë skriningut  dhe pastaj së bashku me Shqipërinë t’i vazhdojmë negociatat”, potencoi Mariqiç.

Komisioni për Çështje Kushtetuese e miratoi propozimin e Qeverisë për qasje në ndryshimin e Kushtetutës. Me këtë, praktikisht fillon procedura për ndryshime kushtetuese sipas obligimit që e ka marrë Maqedonia e Veriut në korrik të vitit të kaluar gjatë fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian. Tani, propozimi do të shkojë në seancë plenare e cila është caktuar për më 18 gusht. Atëherë do të nevojitet shumicë prej dy të tretave (së paku 80 vota) që të miratohet nevoja për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe procedura të vazhdojë në fazën e ardhshme – përgatitje dhe miratim i propozim-amendamenteve.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.