Bendevska: Po përgatitet padi kundër MASh-it, pa tekste shkollore nxënësit janë të diskriminuar

Pikërisht për këtë, nënvizoi, Komisioni ka konstatuar se kur nuk ekziston teksti shkollor si mjet bazë për realizimin e procesit edukativo-arsimor, ata nxënës nuk kanë qasje të barabartë në arsim cilësor në krahasim me ata që kanë tekste, prandaj përgatit padi për mbrojtje nga diskriminimi kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, transmeton Portalb.mk.

“Komisioni ka marrë vendim dhe është duke u zbatuar. Do të bëjmë padi në gjykatën civile për mbrojtje nga diskriminimi në interes publik për mungesë tekstesh. Ajo që konstatuam në punën tonë. Në atë rast, Komisioni do të jetë një nga palët në mosmarrëveshje dhe do të fillojë me përfaqësimin strategjik të interesave të nxënësve. Është në interesin e tyre të marrin arsim cilësor, dhe kjo do të thotë tekst shkollor për çdo lëndë, në çdo klasë dhe në çdo gjuhë në të cilën zhvillohet mësimi. Shteti, pra Ministria e Arsimit do të paditet. Ne jemi duke e përgatitur padinë dhe do ta paraqesim së bashku me partnerët tanë strategjikë, Shoqatën e juristëve të rinj të Maqedonisë”, tha Bendevska.

Lidhur me peticionet e qytetarëve me vetëdije bullgare, ajo tha se janë ulur dukshëm, por numri për arsye të tjera diskriminuese është në rritje.

Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi sot në Strugë në bashkëpunim me OSBE-në i informoi qytetarët se si mund të parashtrojnë ankesa nëse diskriminohen nga organet e administratës shtetërore apo subjektet private.

Që nga themelimi i Komisionit e deri më tani, në një periudhë dyvjeçare e gjysmë, Komisioni ka punuar në rreth 850 ankesa, gjysma e të cilave janë në nëntë muajt e parë të këtij viti, që në vetvete flet për interesimin e shtuar për raportimi i diskriminimit.

Sipas Bendevskës, ka diskriminim në çdo hap dhe në çdo bazë diskriminuese, por jo çdo shkelje e një të drejte nënkupton diskriminim.

Ndërkohë, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri tha se ka filluar dorëzimi i teksteve për klasën e gjashtë. Deri në fund të javës, siç ka treguar ai, pret që të dorëzohen të gjitha tekstet shkollore dhe nëse do të jetë nevoja do të kërkojë nga operatori ekonomik që të vazhdojë shpërndarjen gjatë fundjavës.

Konfirmimi se nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta nuk do të marrin tekste të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, erdhi në fund të gushtit nga përgjegjës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministri Shaqiri ka premtuar se vonesa nuk do të jetë si vitin e kaluar shkollor e cila, siç tha, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur programe të reja mësimor për katër klasa. Ky do të jetë vit ndryshe shkollor për shkak se MASH-i, theksoi Shaqiri, po përgatitet nga fillimi i këtij viti kalendarik.

Ndryshe, fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve ndryshoheshin, nuk kishin libra vitin e kaluar shkollor. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për zhvillimin e arsimit,  edhe atëherë përgatitën materiale për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve.

Për disa klasa vonesa e teksteve vitin e kaluar zgjati deri në gjysmëvjetorin e dytë.