Çmimet e banesave në Shkup u rritën për 11 përqind në tremujorin e tretë

Çmimet e banesave në Shkup në tremujorin e tretë të këtij viti shënuan rritje për 2,9 përqind në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa në nivel vjetor prej 11 përqind njoftoi Banka Kombëtare, raporton MIA, transmeton Portalb.mk.

Në tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e banesave shënuan rritje për 18,8 përqind në nivel vjetor, pra nga 1,3 përqind në nivel tremujor, ndërsa në tremujorin e dytë nga 1,6 përqind, gjegjësisht 12,09 përqind.

Në tremujorin e parë të vitit të kaluar, pasuritë e patundshme u rritën për 12,4 përqind në bazë vjetore, e ndjekur me rritje prej 16,6 përqind në tremujorin e dytë, 21.2 përqind në të tretin dhe për 20,6 përqind në tremujorin e katërt.

Kryetarja e Grupit të Patundshmërisë në Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Liljana Kovaçeva, në një deklaratë për MIA-në theksoi se çmimet e patundshmërive muajt e fundit janë stabilizuar dhe nuk do të ndryshojnë për një periudhë të gjatë kohore.

“Në fund të vitit të kaluar, pas përfundimit të krizës së Covidit, kërkesa në tregun e pasurive të patundshme u rrit dukshëm. Në të njëjtën kohë, si rezultat i konfliktit ushtarak në Ukrainë dhe krizës energjetike , çmimet e materialeve të ndërtimit u rritën dukshëm, gjë që çoi në rritjen e çmimeve të ndërtesave të reja, ndërsa rritja e kërkesa në treg bëri që rritja e çmimeve të pranohen në treg. Përsëri, sipas mendimit tim, shitësit i rritën çmimet më shumë se sa që tregu mund të pranojë dhe për shkak të kësaj, pas tremujorit të pari pati një kohë joproduktive me një korrigjim të vogël të çmimeve në drejtim të uljes së tyre. Sipas meje, ajo çka po ndodh muajt e fundit është në fakt stabilizim i çmimeve në një nivel të caktuar dhe ndërprerje e rritjes së çmimeve që ishte e dukshme më parë dhe mendoj se një periudhë të gjatë në të ardhmen nuk do të ketë ndryshime të çmimeve”, tha Kovaçeva.

Banka Kombëtare po e përgatit indeksin e çmimeve të banesave për territorin e Shkupit, bazuar në të dhënat në shpalljet e shitjeve të publikuara nga agjencitë që merren me shitjen e pasurive të patundshme.

Ndërkohë, kujtojmë se gjatë vitit 2022 janë ndërtuar 3844 banesa, nga të cilat 3714 në pronësi individuale.

Më shumë se gjysma e banesave janë në rajonin e Shkupit (2107), ndërsa në qytete dhe rajone të caktuara pothuajse nuk ka pasur fare ndërtim. Vitin e kaluar në rajonin e Pollogut janë ndërtuar vetëm 87 banesa, prej të cilave 67 në Mavrovë dhe Rostushë. Në Tetovë ka përfunduar ndërtimi i vetëm tre banesave.

Demir Hisari, Krusheva, Resnja, Dibra, Kratova, Haraçina, Saraji dhe Shuto Orizari janë pjesë e komunave ku vitin e kaluar nuk përfundoi ndërtimi i asnjë banese.

Në Shkup, më së shumti banesa janë ndërtuar në Komunën e Aerodromit – nga numri i përgjithshëm i banesave të ndërtuara në rajonin e Shkupit 2.107, vetëm në Aerodrom janë ndërtuar 1.120 banesa. Më pas vjen Gazi Baba me 336, 218 në Qendër, 175 në Gjorçe Petrov, 131 në Butel, 105 në Karposh dhe 14 banesa të përfunduara në Kisella Vodë.