Punonjësit e Elem Turs në protestë, kundërshtojnë aplikimin për punë në ndërmarrjen e re “Kodra e Diellit”

Mbi 20 punëtorë të Elem Tursit sot kanë protestuar dhe ankohen se me mbylljen e Elem Tursit do detyrohen të japin dorëheqje nga vendi i tyre i punës, ku janë me vendime dhe të aplikojnë për në ndërmarrjen e re me kontrata tremujore, transmeton Portalb.mk.

Mbyllja e Elem Tursit bëhet si shkak i themelimit të ndërmarrjes së re “Kodra e Diellit” e cila do të menaxhojë me qendrën turistike Kodra e Diellit.

Një i punësuar tha se udhëheqësi i ndërmarrjes u ka kërkuar nga që të deponojnë dorëheqjen nga vendimet e përhershme dhe të ju jepet kontratë për tre muaj.

“Ne nuk pajtohemi me këtë veprim sepse mendojmë se është e padrejtë të mbesim në rrugë një goxha numër i madh përmbi 25. Kam kolegë që kanë stazhn përmbi dyzet vjet. Do vazhdojmë deri sa të arrijmë qëndrimin tonë”, tha një punëtor.

Një tjetër punëtor tha se u është sqaruar se mbyllet firma dhe të konkurrojnë në firmën e re ku nuk do kenë vendime pune por kontrata tre mujore.

“Askush nuk pajtohet me këtë. Nëse bëhet me marrje punëtorësh në rregull, por për rentabilitetin nuk jemi fajtor ne. Askush nuk na tregon çka bëhet., Duhet të na sqarojnë a jemi përjashtuar apo jo, a është mbyllur apo jo”, tha një tjetër punëtor.

Menaxhmenti i Kodrës së Diellit, thotë se ata si kompani bijë e EMV-së kanë marrë vendim nga bordi drejtues që të themelohet kompania e re me emrin Ski-qendra Kodra e Diellit Tetovë, që sipas tyre synimi është hapja e rrugës për investitorin strategjik. Nga atje theksuan se punëtorët do të marrin vendime të përhershme pune në pas Vitit të Ri, pas përfundimit të kontratave.

“Investitori strategjik duhet të marrë ndërmarrje të pastër për Kodrën e Diellit që nuk do të lidhet me filialet e tjera, nuk do të ketë borxhe, nuk do të ketë probleme. Në mënyrë që të mund të lidhet marrëveshje me investitorin strategjik. Vendimi i bordit drejtues të EMV është që ndërmarrja e re të hapë shpallje për një periudhë të caktuar deri në fund të vitit. Do të ketë tjetër njoftim para Vitit të Ri. Disa nga punonjësit aplikuan, disa prej tyre nuk aplikuan sepse nuk besojnë. EMV do të udhëheq procedurën për likuidimin e Elem Tursit. Të gjithëve u është shpjeguar nga unë dhe nga drejtoresha e burimeve ligjore dhe njerëzore të EMV. Ato vende pune janë bosh dhe ne mund ta ripublikojmë dhe kanë të drejtë të aplikojnë”, tha Adem Avziu, menaxher i Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit”.

Përndryshe, negociatat me investitorin e interesuar Italian Techno Alpin për Kodrën e Diellit vijojnë, megjithatë Qeveria dhe TechnoAlpin nuk tregojnë detaje se kur pritet të nënshkruhet kontrata. Kohë më parë, u formua kompania e re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit me emër “Kodra e Diellit”.