Afërdita Volina për 10-vjetorin e Klubit të Librit në Shkup: Nisma jonë tashmë ka marrë përmasat e një lëvizjeje kulturore
Prej dhjetë vjetësh, Klubi i Librit “Shkupi” bashkon gra që ndajnë dashurinë për leximin dhe diskutimin letrar. Takimet e përmuajshme janë kthyer në një hapsirë ku shkëmbehen mendime, ndërtohen miqësi dhe nxiten të tjerë t’i afrohen librit. Me rastin e këtij përvjetori, për Portalb.mk iniciatore e klubit, Afërdita Volina, foli për rrugëtimin e deritanishëm, vendin e letërsisë shqipe në përzgjedhjet e tyre dhe përpjekjet për ta përcjellë dashurinë për leximin te brezat e rinj.
Portalb.mk: Klubi i Librit “Shkupi” shënoi 10-vjetorin e themelimit. Si e vlerësoni rrugëtimin e kësaj dekade dhe kontributin e klubit në jetën kulturore shqiptare në Shkup?
Afërdita Volina: Ka qenë një rrugëtim i bukur letrar. Jemi bashkuar në këtë klub vullnetarisht dhe të gjithave na lidh dashuria për fjalën e bukur të shkruar. Lexojmë libra dhe çdo muaj takohemi për t’i diskutuar.
Në takimet tona, secila ka lirinë të shprehë mendimin, të analizojë veprat dhe personazhet, duke respektuar gjithmonë qëndrimet e njëra-tjetrës. Kjo na pasuron edhe në marrëdhëniet me të tjerët. Jemi bërë më të matura në diskutime, më të përqendruara dhe më të nxitura për të hulumtuar e për të lexuar kritikë letrare. Me një fjalë, klubi na ndihmon në ngritjen intelektuale dhe në emancipimin emocional.
Sa i përket kontributit në jetën kulturore shqiptare në Shkup, besoj se kemi dhënë një kontribut modest. Nuk jemi institucion dhe mundësitë tona janë të kufizuara. Megjithatë, kemi qenë vazhdimisht të pranishme në rrjetet sociale, ku kemi publikuar të gjithë librat e lexuar, të shoqëruar me përmbledhje të shkurtra për temën, idenë dhe personazhet. Postimet janë publike dhe shpresojmë që, përmes tyre, të kemi nxitur edhe të tjerë të lexojnë.
Portalb.mk: Cili ishte qëllimi juaj kur e themeluat klubin dhe sa keni arritur ta përmbushni atë përmes aktiviteteve të deritanishme?
Afërdita Volina: Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet i thjeshtë dhe njerëzor. Kemi dashur të bëjmë diçka të mirë për mjedisin ku jetojmë dhe punojmë, të nxisim leximin, të përmirësojmë të shprehurit në publik dhe të marrim pjesë aktive në ngjarjet kulturore.
Krahas këtyre, kemi krijuar edhe një afërsi të veçantë mes anëtareve. Jemi bërë si një familje e madhe dhe e mbështesim njëra-tjetrën sa herë që kemi nevojë. Në këtë kuptim, besoj se kemi arritur ta përmbushim qëllimin tonë.
Portalb.mk: Mbi çfarë kriteresh i përzgjidhni veprat për diskutim dhe çfarë vendi zë letërsia shqipe në këto përzgjedhje?
Afërdita Volina: Veprat i propozojnë dhe i përzgjedhin vetë anëtaret e klubit. Secila prej nesh propozon dy apo tre libra dhe më pas vendosim së bashku se cilët do të lexojmë. Përzgjedhim libra të zhanreve të ndryshme, gjë që e pasuron edhe më shumë veprimtarinë e klubit.
Sigurisht, letërsia shqipe ka vendin e saj në këto përzgjedhje. Kemi lexuar vepra nga Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Edmond Tupja, Flutura Açka, Lea Ypi, Ben Blushi e të tjerë. Çdo vit përpiqemi të përfshijmë një numër të konsiderueshëm veprash të autorëve shqiptarë.
Portalb.mk: Sa kanë ndikuar diskutimet në klub në zhvillimin e leximit kritik dhe në hapjen e debateve për çështje që prekin pozitën e gruas në shoqëri?
Afërdita Volina: Diskutimet në klub janë një pasuri më vete dhe kanë ndikuar shumë tek anëtaret. Kur lexon një libër, krijon mendimin tënd për të. Më pas, gjatë diskutimit, dëgjon analiza dhe këndvështrime të tjera për të njëjtën vepër. Kështu kupton se të është zgjeruar mënyra e të menduarit dhe e analizës kritike. Me çdo takim, ky proces pasurohet edhe më shumë.
Sa i përket pozitës së gruas, pothuajse në çdo libër gjejmë diçka nga vetja. Në diskutimet tona ndalemi te rolet e grave, te përvojat e tyre dhe te ndikimi që kanë në familje e në shoqëri.

Portalb.mk: Nga përvoja juaj, cilat janë pengesat kryesore për krijimin e një kulture të qëndrueshme leximi dhe çfarë roli duhet të kenë shkollat, bibliotekat dhe institucionet kulturore?
Afërdita Volina: Më shumë sesa pengesa, unë shoh mungesë nismash për t’i vënë gjërat në lëvizje. Nuk është në rregull të presim gjithçka vetëm nga shkollat, bibliotekat apo institucionet kulturore. Duhet të pyesim edhe veten se çfarë bëjmë ne si individë për mjedisin ku jetojmë.
Ne ndërmorëm një nismë me klubet e librit dhe, përmes saj, kemi bërë të lumtura qindra zonja. Takimet janë kthyer në një kënaqësi që e presim me padurim. Sikur të kishte më shumë nisma për të mirën e përbashkët, do të kishim edhe një shoqëri më të bukur.
Portalb.mk: Pas kësaj dekade, cilat janë përparësitë për të ardhmen e klubit dhe si mendoni ta zgjeroni ndikimin e tij, veçanërisht te brezat e rinj?
Afërdita Volina: Nisma jonë tashmë ka marrë përmasat e një lëvizjeje kulturore. Kemi themeluar klube të tilla në disa qytete, ndërsa më aktive janë klubet e Shkupit dhe të Strugës. Klubet e tjera takohen më rrallë, kurse këtë javë do të riaktivizojmë Klubin e Librit në Ohër.
Këtë ide e kanë ndjekur edhe dy ish-nxënëset e mia, të cilat kanë krijuar klube libri për fëmijë. Kjo na gëzon, sepse dashuria për librin po përcillet edhe te brezat e rinj. Të gjitha e bëjmë këtë punë me shumë dashuri dhe pasion, ndaj besoj se me krenari mund ta quajmë një lëvizje kulturore.