BE përgatiti mbështetje prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian (BE) ka përgatitur një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane, raporton Portalb.mk.

Komisioni Evropian njoftoi propozimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka për qëllimin stimulimin e rritjes ekonomike dhe të përshpejtojë përafrimin socio-ekonomik.

Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.

Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.

Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Në mënyrë që propozimi në fjalë të hyjë në fuqi, është e nevojshme që kjo të miratohet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe vendet anëtare.

Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Gjithashtu Komisioni Evropian rekomandoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë, transmeton REL.

Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.

Përpjekjet për të arritur pajtim që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave kishte hasur në kundërshtime, gjatë takimit të shefave të kabineteve të zhvilluar të martën . Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet.

Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

Rekomandimet dhe raportet e miratuara më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

Më 09 nëntor, me fillim nga ora 11:00 në ndërtesën e Qeverisë në Shkup, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp në të cilën do të prezantohet Raporti i vendit për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut nga ambasadori Geer dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Mariçiq. Në periudhën e ardhshme, pakoja do të prezantohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, si dhe para organizatave të shoqërisë civile.

Kujtojmë se presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, vizitoi Maqedoninë e Veriut më 30 tetor. Ajo tha se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt anëtarësimit në BE dhe se reformat duhet të vazhdojnë.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.