Xhaferi: Deri në Vitin e Ri partitë politike të vendosin datën e zgjedhjeve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ju ka dhënë afat partive politike në Kuvend që deri në Vitin e Ri të vendosin datën e zgjedhjeve. Pas këtij afati, ai theksoi se do të duhet të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet, transmeton Portalb.mk.

Ai sot tha se si kryetar i Kuvendit është i obliguar që të sigurojë kohën e përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet për organizimin e zgjedhjeve.

Ai përsëriti afatet, si dhe detyrimin ligjor për formimin e Qeverisë teknike para zgjedhjeve.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen vitin e ardhshëm.

Partitë mendojnë ndryshe për kohën dhe organizimin e zgjedhjeve.

LSDM dëshiron që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen veçmas, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që të dy ciklet zgjedhore të shkrihen në një proces zgjedhor.

Tre partitë opozitare shqiptare në krye me Afrim Gashin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin, nën emrin “Lidhja evropiane për ndryshim” do të bashkëpunojnë dhe do të garojnë në të ardhmen. Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar që do të garon e vetme në zgjedhje.