RMV, studentët në shënjestër të sulmit fishing, mos klikoni në emaile dhe linqe të rreme për ushqime të subvencionuara!

Një sulm fishing i paraqitur si link i pretenduar nga “Sparkasse Banka” që nga mëngjesi i sotëm i përndjek studentët e Maqedonisë me premtimin se do të marrin para. Sulmi, i ndarë përmes emailit dhe si një link me një faqe interneti bankare false, u kërkon studentëve të fusin të dhënat e tyre për t’u regjistruar për “anëtarësim në vaktin e studentëve”, transmeto Portalb.mk.

Përveç të dhënave personale dhe universitare, linku kërkon që studentët të japin numrin e kartës bankare të prindit.

Sulmi fishing është shfaqur mëngjesin e sotëm, dhe qëllimi është tërheqja e parave nga kartela e prindërve të studentit përmes një aplikacioni të rremë për ushqimin e studentëve, transmeton portali IT.mk.

Postimin e parë për sulmin e ka shpërndarë profili @spirovskib në rrjetin social “X”.

Për të ngatërruar studentët dhe për të nxjerrë para nga kartat, linku i rreme përmban logon e Sparkasse Bank dhe URL-ja i ngjan asaj ku studentët aktualizojnë të dhënat e tyre në platformën e Sparkasse.

Faqja e paraqitur në mënyrë të rreme si platforma e Sparkasse Bank për të aplikuar për një vakt të subvencionuar studentor është aktualisht e çaktivizuar.

Studentët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos hapin linqe të tilla dhe të ngjashme. Aplikimi për vaktin e subvencionuar të studentëve bëhet ekskluzivisht në platformën “e-uslugi” të MASh-it, pas së cilës studentët përditësojnë të dhënat e tyre në platformën Sparkase. Megjithatë, askund në procesin e aplikimit për ushqim të subvencionuar prindit nuk i kërkohet të fusë numrin e kartës.

Dje ka skaduar afati për aplikim për ushqim të subvencionuar të studentëve për këtë muaj. Afati i radhës është nga 1 deri më 7 dhjetor.