Von der Leyen: Është kyçe të vazhdohet me reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit

Pas takimit të sotëm me kryeministrin Kovaçevski, kryetarja e KE-së Ursula Von del Leyen tha se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt anëtarësimit në BE, transmeton Portalb.mk.

“Është e pabesueshme të shohësh përparimin që ka bërë Maqedonia e Veriut dhe vendosmëria për të ecur përpara është mbresëlënëse”, tha Von del Leyen.

“BE ka një histori të gjatë zgjerimi dhe respekti për çdo komb dhe respekt për diversitetin që ne përfaqësojmë. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin e saj unik dhe gjuhën maqedonase”, tha kryetari i KE-së.

Ajo i quajti të shkëlqyera bisedimet me kryeministrin, se vendi ka arritur shumë dhe se reformat duhet të vazhdojnë.

“Jam në dijeni të ndryshimeve kushtetuese, hapat e parë janë hedhur në Parlament dhe pres që partitë politike të përfitojnë nga momenti”, tha Von del Leyen.

Ajo shpjegoi planin e ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

“Hapja e tregut tuaj të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, i cili ka potencialin për të rritur PBB-në me 10%, është një hap i madh. Ne kemi nevojë për reforma për komunitetin e biznesit, administratën publike efikase dhe është kyçe të vazhdojnë reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Von del Leyen.

Ajo theksoi se ndryshimet kushtetuese janë një hap i domosdoshëm në rrugën drejt anëtarësimit në union.

E pyetur nga gazetarët se pse nuk ka takim me Mickoskin, von del Leyen tha se në këtë turne ballkanik ajo takohet kudo me presidentët dhe kryeministrat e vendeve

Kryeministri Kovaçevski priti Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen, me një ceremoni zyrtare të pritjes me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Menjëherë pas ceremonisë  u zhvillua takimi kokë më kokë me kryeministrin Kovaçevski, pas së cilës do të vijoi takimi bilateral i dy delegacioneve.

Në përbërjen e delegacionit maqedonas janë Artan Grubi, zëvendës i parë i kryeministrit dhe ministër për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministër i jashtëm, Blagoj Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje, Kaja Shukova, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Azir Aliu, Ministër i Shoqërisë Informatike.

Kovaçevski dhe Leyen do të vizitojnë fabrikën e përpunimit të pemëve dhe perimeve në afërsi të Shkupit, përfitues i mjeteve nga programi IPARD i financuar nga BE-ja.

Kryetarja e Komisionit Evropian dje pasdite mbërriti në Shkup dhe në Aeroportin Ndërkombëtar e priti zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, pas së cilës në Villa Vodno pati një takim me presidentin Stevo Pendarovski.

Sipas njoftimit të kabinetit presidencial, Pendarovski dhe Von der Leyen kanë biseduar për procesin e negociatave për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian, zhvillimet aktuale politike në Maqedoni dhe gjendjen aktuale në rajon, dhe në këtë drejtim janë shkëmbyer informacione për fazat e mëtejshme të negociatave, pas përfundimit të procesit të skiriningut dhe për dinamikën e zbatimit të reformave.

Në takim u bisedua për raportin e ardhshëm të KE-së për progresin e Maqedonisë si vend kandidat, si dhe për planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, gjatë të cilit presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen dhe përkushtimin nga BE-ja në politikën e zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Stevo Pendarovski dhe Ursulla fon der Llajen, Foto: Kabineti i presidentit
Stevo Pendarovski dhe Ursulla fon der Llajen, Foto: Kabineti i presidentit

Pendarovski dhe Von der Leyen shkëmbyen mendime për rëndësinë strategjike të zbatimit të amendamenteve të Kushtetutës dhe për implikimet e mëtutjeshme për perspektivën evropiane të vendit.

Pas takimit në platformën X, Von der Leyen shkroi se ndërsa Maqedonia e Veriut përparon në reforma, ajo po hap rrugën drejt BE-së.

“Mezi presim t’ju mirëpresim, në identitetin tuaj të veçantë dhe në gjuhën tuaj, në gjuhën maqedonase”, tha Von der Leyen, duke shprehur kënaqësinë që turneu i saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor në tre ditët e ardhshme fillon pikërisht nga Shkupi.

Kryetarja e KE-së, siç deklaroi për MIA-n zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq në fund të vizitës së punës në Bruksel, vjen në Shkup për të diskutuar për reformat e nevojshme dhe për mjetet shtesë që vendi duhet të marrë si ndihmë nga BE-ja dhe motivimi për reformat, si dhe për detyrimet tona të mbetura, për të përfunduar këtë fazë të anëtarësimit dhe për të kaluar në të dytën, pra hapjen e klasterit dhe për të shpallur përfundimin e skriningut.

Von der Leyen nga Shkupi nis turneun katërditor nëpër Ballkanin Perëndimor. Nga Shkupi ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, e më pas do të vizitojë Podgoricën, Beogradin dhe Sarajevën. Vizita, siç është paralajmëruar, do të përdoret nga Von der Leyen për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe për të prezantuar më në detaje Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Ajo në Prishtinë do të ketë takime me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Von der Leyen nesër do të vazhdojë turin e saj në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Dritan Abazoviq.

Nga Podgorica, Von der Leyen nesër niset për në Beograd për takime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Kryetarja e Komisionit Evropian do ta mbyllë turneun e saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën me një vizitë në Sarajevë, ku do të ketë takime me Presidencën e BeH dhe kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.

Turneu i Von der Leyen në Ballkanin Perëndimor vjen përpara publikimit të raporteve mbi përparimin e kandidatëve për anëtarësim në rrugën drejt BE-së, të paralajmëruar për 8 nëntor. Von der Leyen vizitoi vendin e fundit të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, dy javë më parë, kur ishte në Tiranë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit dhe zhvilloi takime me presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.