Një 29 vjeçar ka humbur jetën në incidentet e mbrëmshme mes të tifozëve të Dinamo Zagrebit dhe AEK të Athinës

Sipas informacioneve jozyrtare, 29 vjeçari është goditur me thikë nga ana e tifozëve mysafirë dhe ka vdekur në vend. Në incidentet e mbrëmshme janë arrestuar mbi 90 persona, ndërkaq të lënduar janë tetë tifozë nga të dy palët, raporton 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve jozyrtare që shpërndahen në Greqi, një grup prej 150 deri më 200 tifozë kroatë të Dinamos së Zagrebit, pavarësisht ndalimit të tifozëve mysafirë në ndeshjen AEK – Dinamo Zagreb që duhet të luhet sot, ata kanë mbërritur në kryeqytetin grek me autobusë dhe makina. Pas, mbërritjes ata menjëherë janë drejtuar para stadiumit të AEK-ut, i cili ka qenë i mbyllur dhe më pas kanë shkaktuar incidente të rënda.

Huliganët kroatë i kanë sulmuar tifozët e AEK-ut, por edhe qytetarët që kanë qenë të ulur në kafenenë pranë stadiumit AEK-ut në lagjen Nea Philadelphia në Athinë.

Gjatë një sulmi të tillë, një tifoz i ri 29 vjeçar i AEK-ut, është goditur me thikë dhe nuk u ka mbijetuar plagëve të marra. Nga përleshjet janë plagosur tetë persona, nga të cilët pesë janë kroatë dhe tre grekë, ndërkaq, policia raporton se ka arrestuar 96 persona, nga të cilët 82 janë kroatë.