Huliganët kroatë që kryen incidentin ku mbeti i vrarë një tifoz i AEK-ut në Athinë do të dalin sot para prokurorit publik

Policia greke ndaloi 94 shtetas kroatë të cilët dyshohen se ishin pjesë e grupit që dy ditë më parë shkaktoi incidente dhe shkaktoi një sherr të përgjithshëm pranë stadiumit të AEK-ut, ku humbi jetën një tifoz 29-vjeçar i ekipit grek, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Huliganët kroatë – tifozë të Dinamos së Zagrebit dje kanë provuar të gjitha mënyrat për t’u larguar nga Greqia, por sipas informacioneve asnjëri prej tyre nuk ka pasur sukses në përpjekjen për t’u larguar nga vendi. Policia greke bëri të ditur se ditën e djeshme janë arrestuar pesë persona të cilët dëshironin të shkonin në Itali dhe prej andej në Kroaci me anije. Përveç këtyre pesë personave dje janë arrestuar edhe tifozë që tentuan të arratiseshin përmes pikave kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të gjithë të arrestuarit do të dalin sot para prokurorit publik, ndërsa që prej ditës së djeshme policia greke ka nisur vendosjen e postblloqeve në rrugët kryesore në Greqi, me theks të veçantë në pikat kufitare. Sipas vlerësimeve, 50 tifozë të tjerë kroatë janë në arrati dhe aktualisht po bëhen analiza laboratorike dhe analiza të ADN-së për të identifikuar vrasësin e tifozit 29-vjeçar.

Mediat greke njoftuan dje se përgjegjës për vrasjen ishte një shtetas grek, por ky informacion nuk është konfirmuar nga Athina zyrtare.

Nga incidentet janë plagosur tetë persona, katër prej të cilëve me lëndime më të rënda. Tre grekë dhe një kroat janë ende të shtruar në spitalin e Nea Filadelfia dhe të gjithë kanë lëndime në kokë dhe ndodhen në departamentin e neurokirurgjisë.

Për shkak të incidenteve në Athinë, UEFA shtyu ndeshjen mes AEK-ut dhe Dinamos dhe drejtuesit e skuadrës greke protestuan dhe kërkuan që Dinamo e Zagrebit të përjashtohet nga gara.

“Si ka mundësi që pas kësaj vrasjeje barbare të Mihalisit nga një grup huliganësh nga Kroacia, AEK-u të dalë në fushë dhe të luajë kundër kësaj skuadre? Kush do të na bëjë të luajmë ato ndeshje, ndërkohë që gjaku i tifozit tonë të vrarë dhe të tjerëve të plagosur rëndë vazhdon të rrjedhë? Kur të gjithë e dinë se këta njerëz erdhën këtu për të vrarë si pjesë përbërëse e një organizate me të cilën duhet të luajmë futboll. Ka vetëm një rrugë: Dënim i rreptë menjëherë! Bota e qytetëruar evropiane dhe e futbollit po e pret këtë”, thuhet në njoftimin e AEK-ut.

Ndryshe, Greqia është në shok pas skenave të tmerrshme të tërbimit para stadiumit të Athinës “New Philadelphia”. Në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes AEK-ut dhe Dinamo Zagrebit, më shumë se njëqind huliganë – tifozë të klubit të Zagrebit sulmuan tifozët e rivalit AEK, dhe nga sulmi humbi jetën një tifoz 29-vjeçar i klubit grek.

Edhe pse ndeshja u shpall një ngjarje me rrezik të lartë dhe tifozët e jashtëm u ndaluan, më shumë se njëqind tifozë kroatë shkuan në Greqi, ku shkaktuan trazira masive, në të cilat një person vdiq, një tjetër po lufton për jetën e tij dhe të paktën dhjetë të tjerë u plagosën. Policia arrestoi 94 persona, duke përfshirë 82 kroatë. Kërkimet për pjesëmarrësit e tjerë në trazira vazhdojnë gjatë gjithë ditës.

Për shkak të një sërë lëshimesh nga policia greke që e dinte se në Athinë do të mbërrinin huliganë, në Greqi u zëvendësuan 7 drejtues policie.