Ahmeti kërkon hetim për nipin Drinin për “Soravia”-n: Nuk do të ketë asnjë amnisti apo strehim nga unë

Nuk do të ketë asnjë pengesë dhe nuk ka asnjë amnisti apo strehim nga ana ime. Organet le të hetojnë blerjen e “Soravia”-s nga Drin Ahmeti, deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Përndryshe Drin Ahmeti është djali  i vëllaut të liderit të BDI-së, njofton Portalb.

“As Drini nuk mund t’i shmanget hetimit, zbardhjes së vërtetës, për këtë nuk do të ketë asnjë pengesë dhe nuk ka asnjë amnisti apo strehim nga ana ime. Gjithçka çfarë i intereson organeve të shtetit lirshëm të kryhen hetime dhe të zbardhet e vërteta”, tha Ahmeti në deklaratë për TV21.

Ahmeti është deklaruar edhe për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko i cili më 20 qershor të këtij viti u shpall person non grata nga Departamenti amerikan i Shtetit, për të cilin theksoi se ai duhet të hetohet.

Merko duhet të hetohet dhe absolutisht Merko nuk e kundërshton një veprim të tillë, sepse vetë ai është votuar në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesin e BDI-së, që të hapet hetim, për tërë veprimtarinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, që nga viti 2002 deri tani në momentin që po flasim. Ne nuk mund të bëhemi edhe parti, edhe prokurorë, edhe hetues dhe t’i japim përgjigje çdo shpifje, apo të punojmë në drejtim të zbulimit të vërtetës, kjo i takon organeve të drejtësisë. I qëndrojmë fortë këtij mendimi që të hapet hetim për të gjithë veprimtarinë e BDI-së, për të gjithë funksionarët, duke filluar nga unë. Merko nuk i shmanget përballjes me hetimin dhe ne kërkojmë që sa më parë të zbardhet e tërë e vërteta”, tha Ahmeti.

VMRO-DPMNE-ja opozitare sot përmes kumtesës akuzoi se nipi i Ali Ahmetit, 24-vjeçari Drin Ahmeti vitin e kaluar ka marrë 82 mijë euro nga Fondi shtetëror për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik – të njëtjtin vit kur, siç thonë, në krye të Fondit ka ardhur kuadër i BDI-së. Ndërkohë, ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së reagoi Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik të cilët thonë se nuk ia kanë aprovuar të gjithë projektet e propozuara.

“Më 10 maj të vitit 2022 dy firma të Drin Ahmetit ‘Top industris’ dhe ‘Everest XHD’ kanë fituar 82 mijë euro të holla shtetërore për bashkëfinancim të inovacioneve. Madje, Fondin nga janari i vitit 2022 e udhëheq kuadër i BDI-së Festim Halili, i cili sipas fotografive të cilat dolën në media vlen si mik afërt me familjen e Drin Ahmetit“, thuhet në kumtesën e partisë opozitare.

Në reagimin me shkrim të cilin e publikuan në profilin e tyre në Fejsbuk, nga FIZHT theksojnë se kompanitë “Top industris” dhe “Everest XHD” janë fitues të mbështetjes financiare nën instrumentin “Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike”.Megjithatë, shtojnë nga atje, i njëjti sipërmarrës ka dorëzuar propozim-rpojekte nën instrumente tjera për mbështetje nga Fondi,  por të njëjtit janë refuzuar nga ana e Komitetit për aprovim të investimeve, i cili është i përbërë nga pesë ekspertë botëror.