Spasovski: Prokuroria mund të hapë hetim për blerjen e QT “Soravia”

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, vlerëson se ka mundësi që të hapet procedurë për verifikimin e rrjedhave financiare rreth shitjes së QT “Soravia”, me të cilën, siç u njoftua dje, Drin Ahmeti do të fitojë 39 për qind të aksioneve, transmeton Portalb.mk.

“Këto janë të dhëna dhe informacione që ofrojnë mundësinë për të hapur një procedurë hetimi, në radhë të parë flukset financiare, dhe sigurisht Prokuroria Publike do të mund të hapë një hetim dhe mbi bazën e tyre të ngarkojë institucionet përkatëse ligjzbatuese dhe të verifikojë të gjitha faktet dhe argumentet”, tha Spasovski, në pyetjet e gazetarëve nëse MPB-ja do të verifikojë se si Drin Ahmeti i ka fituar 39 për qind të “Soravia”.

Duke komentuar takimin e paralajmëruar të organizuar nga KOA-AO në shenjë proteste kundër propozim ligjit për barazi gjinore, Spasovski theksoi se ligji ende nuk ka hyrë në procedurë qeveritare dhe se duhet të hapet një dialog i gjerë.

“Besoj se duhet hapur një dialog i gjerë për këtë ligj dhe në fund duhet të arrijmë pritshmëritë e shoqërisë. Kur të mbyllet debati i plotë, atëherë zgjidhja ligjore mund të shkojë në procedurë qeveritare dhe parlamentare”, tha Spasovski.

Drin Ahmeti, nipi i vëllait të Ali Ahmetit, Fekri, është pronar i kompanisë së zhvillimit të projekteve ndërtimore “Tor Industries” që nga viti 2020. Ndryshe, Drin Ahmeti është edhe bashkëpronar i kompanisë “Everest JD” e cila ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz.

Aktiviteti kryesor i “Everest JD”, i themeluar në vitin 2005, është “ndërtimi i objekteve të tjera të inxhinierisë civile”. Kjo kompani ka koncesion aktiv (deri në vitin 2026) për shfrytëzimin e lëndës së parë minerale – gur gëlqeror në lokalitetin Bukoviq, komuna e Zajazit.

Siç informojnë nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, më 9 qershor të këtij viti i është dorëzuar njoftimi për koncentrim nga Shoqëria për Prodhim, Tregti dhe Shërbime “Tor Industries” DOOEL Shkup dhe “Pe-vla-ku” ShPK”, me adresë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, do të marrë kontroll të përbashkët mbi Shoqërinë e ndërtimit dhe Shërbimeve “Soravia Invest” ShPK dhe shoqërinë e Ndërtimit dhe Shërbimeve “Soravia Management” ShPK.