Gërkovska pret që organet gjyqësore të kuptojnë në mënyrë adekuate mesazhet e SHBA-së pas futjes së Merkos në “listën e zezë”

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, pret që autoritetet gjyqësore t’i kuptojnë në mënyrë adekuate “mesazhet e qarta dhe hapat konkretë që po ndërmarrin aleatët ndërkombëtarë të Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit” në vend. Qëndrimi i Gërkovskës, i publikuar në profilin e saj zyrtar në Facebook, i referohet vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të non-grata për të hyrë në SHBA kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, transmeton Portalb.mk.

“Mesazhet e qarta dhe hapat konkretë të ndërmarrë nga aleatët tanë ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit duhet të kuptohen siç duhet nga autoritetet vendase të drejtësisë. Sepse roli i tyre kryesor është të sigurojnë barazi të qytetarëve para ligjit dhe të japin drejtësi efektive dhe jo selektive”, thotë Grkovska në postim.

Të njëjtat mesazhe pas shpalljes së vendimit kanë dërguar edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe koordinatori i Departamentit të Shtetit kundër korrupsionit, Richard Nephew.

“Sa herë që flisni për diçka që përfshin kufizime të vizave ose sanksione, gjithmonë do të ketë pyetje në lidhje me efikasitetin. Mendoj se në përgjithësi, megjithatë, ne kemi qenë në gjendje të tregojmë rezultate të rëndësishme në drejtim të ndihmës së aktorëve të shoqërisë civile dhe të tjerëve që nuk janë vetëm. Dhe se kur përballen me aktorë të korruptuar, kanë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, tha Nephew për redaksinë shqiptare të Zërit të Amerikës.

Pas deklarimit të kryetarit të Komunës së Strugës non-grata për të hyrë në SHBA, ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, dje në rrjetin social Facebook ka shkruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luftojnë kundër kujtdo që cenon sundimin e ligjit në Maqedonia e Veriut.

“Populli i Maqedonisë së Veriut meriton integritet nga zyrtarët e tyre publikë dhe një sistem që do të kërkojë llogari.Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të thërrasin këdo – pavarësisht pozicionit apo partisë politike – që minon sundimin e ligjit, duke kërcënuar progresin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut”, shkroi Ageler në Facebook.

Vendimi i Uashingtonit për futjen në listën e zezë të Merkos, u shpall  më 20 qershor, me arsyetimin për përfshirjen e tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhej se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Veprimi i sotëm thuhej më tej në njoftim dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. “Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, përfundon njoftimi i Departamentit amerikan të Shtetit.

Përveç Merkos, Departamenti i Shtetit i vendosi edhe bashkëshorten e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij – Genc, ​​Nazmije dhe Drenusha – si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.