Ali Ahmeti: Vendi duhet të shkojë ne zgjedhje të parakohshme
Kryetari i BDI-së opozitare, Ali Ahmeti, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë e vetmja rrugëdalje nga gjendja aktuale politike në vend, i cili, sipas tij, përballet me sfida serioze, transmeton Portalb.mk.
“Zgjidhja e vetme për vendin është shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Vetë, zotëri Hristijan Mickoski tha na presin ditë të vështira, vit i vështirë kështu që për të qenë sa më afër zhvillimeve që ofrojnë zgjidhje për qytetarët, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme. Unë mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër, përveç zgjedhjeve”, tha Ahmeti për TV21.
Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, javën e kaluar deklaroi se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë moment do të ishte i papërgjegjshëm ndaj shtetit, ndonëse, siç tha, nga pikëpamja politike kjo do t’i leverdiste partisë së tij.
Ndërkaq kujtojmë se Mickoski, disa herë e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në shtator, maj dhe qershor të këtij viti, ai tha së shpejti do të ketë zgjedhje.