A është i biri i Dodikut ndër kandidatët për kryeministër të Republikës Sërpska?

Igor Dodik apo Zoran Stevanoviq? Këta janë dy emrat që prej kohësh po përmenden në opinion si kandidatë të mundshëm për kryeministër të ri të Republikës Sërpska – entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, shkruan Radio Evropa e Lirë (REL).

Megjithatë, në prag të shpalljes zyrtare të emrit të kandidatit, e paralajmëruar për 22 nëntor, në skenë ka dalë edhe një emër i tretë: Ana Trishiq-Babiq.

Vendimin përfundimtar do ta bëjë të ditur presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq.

Igor Dodik është djali i Millorad Dodikut, kryetarit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), ndërsa Zoran Stevanoviq është ministër i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Republikës Sërpska.

Ndërkohë, Ana Trishiq-Babiq ushtron detyrën e drejtoreshës së Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës Sërpska.

Miniqi ka zhvilluar konsultime me partitë opozitare. Me partinë më të madhe, Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, do të konsultohet në prag të shpalljes së emrit të kandidatit.

Për këtë çështje foli edhe lideri i SNSD-së, Millorad Dodik, në një konferencë për media në Banjallukë, më 20 nëntor.

Pa dashur ta zbulonte emrin, Dodiku tha se kryesia e partisë e kishte përcaktuar tashmë kandidatin për kryeministër.

“Kandidati për kryeministër është një person që pa dyshim gëzon mbështetjen unanime të SNSD-së. Ne, ashtu siç ka thënë edhe kandidati, pas zgjedhjeve do të dalim në terren. Kandidati i ka duart të lira për ta përbërë qeverinë. Ne e kuptojmë kohën që po vjen. Qeveria duhet të jetë profesionale, e re, efikase dhe e shpejtë, por, natyrisht, në të duhet të ketë edhe njerëz me më shumë përvojë”, tha ai.

Pasi presidenti i Republikës Sërpska ta propozojë kandidatin për kryeministër dhe formimin e Qeverisë së RS-së, afati kushtetues për zgjedhjen e qeverisë së re në Kuvendin Popullor është 40 ditë nga dita e propozimit të kandidatit.

Miniqi deklaroi më 20 nëntor se kandidati për kryeministër do të ketë kohë deri në mesin e dhjetorit për të propozuar emrat e kabinetit të ri qeveritar.

Në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë, në entitetin e Republikës Sërpska, më së shumti vota mori SNSD-ja, e udhëhequr nga lideri prorus Millorad Dodik.

Kush mund të jetë kandidati për kryeministër?
Disa ditë para mbledhjes së kryesisë së SNSD-së, Millorad Dodiku publikoi në profilin e tij në Instagram një fragment nga paraqitja e tij në një podkast.

Ai deklaroi se lista e kandidatëve ishte ngushtuar.

“Igori pa dyshim ka aftësi, këtë e di. Ai ka një ndjeshmëri të caktuar emocionale, e cila ndoshta mund të përbëjë problem – diçka që e kam përjetuar edhe unë në vitet e para. Pa dyshim, ai është një zgjidhje e mirë për të ardhmen. Por, ajo që dua të them është se brenda partisë ende po pritet të qartësohet pozicionimi rreth emrit Millorad Dodik, për të parë se si dhe çfarë do të ndodhë”, tha Dodik.