Filipçe thotë se në buxhet nuk ka para për rritjen e pagave por vetëm borxhe dhe kamata, reaguan nga VMRO-DPMNE

Kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe sot ka deklaruar se politikat ekonomike të Qeverisë së Mickoskit po e çojnë vendin drejt një varësie gjithnjë e më të madhe nga kreditë e shtrenjta, pa zhvillim dhe pa para për rritjen e pagave. Reaguan nga VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk. 

“Tani po miratohet buxheti për vitin e ardhshëm, pas ribalancit që u bë shumë shpejt dhe që ishte dëshmi e politikave të këqija ekonomike. Nuk ka para për rritjen e pagave në shëndetësi, në arsim dhe në sektorin social. Buxheti nuk ka komponent zhvillimor, nuk e ka pasur as deri më tani”, theksoi Filipçe. 

Ai tha se shuma për shlyerjen e kamatave ka arritur nivel rekord, ndërsa detyrimet e grumbulluara të shtetit rrezikojnë punën e kompanive. 

“Asnjëherë një shumë kaq e madhe, prej afro 25 miliardë denarësh, nuk është ndarë për shlyerjen e kamatave. Përveç kësaj, shqetëson jashtëzakonisht edhe borxhi i madh që shteti ka ndaj ndërmarrjeve publike, pushtetit lokal, kompanive në shëndetësi e kështu me radhë: 713 milionë euro, përfshirë edhe borxhin për kthimin e TVSH-së”, tha Filipçe. 

Ndaj deklaratave të Filipçes ka reaguar VMRO–DPMNE-ja. Ata thonë se Filipçe pranoi se huamarrjet e qeverive të LSDM-së i kushtojnë Maqedonisë së Veriut afro 25 miliardë denarë për shlyerjen e kamatave të kredive.

” Siç thotë edhe vetë Filipçe, afro 25 miliardë denarë shkojnë për kamatat e borxheve që i krijoi qeveria e LSDM-së. Kjo flet mjaftueshëm për mënyrën se si qeveria e LSDM-së është sjellë ndaj shtetit dhe financave publike, si dhe për atë me të cilën po përballet Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Pasojat e rrënimit financiar dhe ekonomik që lanë pas qeveritë e LSDM-së, pjesë e të cilave ishte edhe Venko Filipçe, ndihen ende”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Analiza ekonomike javore e e Portalb.mk e bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, tregon se borxhi është rritur si në krahasim me muajin qershor (tremujorin e dytë), ashtu edhe në krahasim me fundin e dhjetorit të vitit të kaluar. Rritje e re e borxhit “të brendshëm” në fund të shtatorit të këtij viti, detyrimet e prapambetura dhe të papaguara të shtetit, në nivel lokal dhe qendror dhe në të gjithë sektorët, tejkaluan 700.000.000 euro. Pjesa më e madhe e borxhit, ose më shumë se 281.000.000 euro, u takon ndërmarrjeve publike dhe kompanive në pronësi shtetërore.