Antikorrupsioni: Merkon e kanë mbrojtur Prokuroria, Gjykata, Këshilli Gjyqësor, Qeveria dhe MPB-ja

Lëndët e kryetarit të Strugës, Ramis Merko për korrupsion janë të papërfunduara. Komisioni për Antikorrupsion sot ka treguar se si mbrohet një funksionar i lartë i partisë qeveritare. Kryetarja e Antikorrupsionit, Bilajana Ivanovska, sot prezantoi se si një lëndë kundër Merkos është zhdukur në Këshillin Gjyqësor, ndërkaq të tjerat janë zvarritur nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Prokuroria e Strugës, kryetari i Gjykatës Themelore të Strugës, Sektori për Ekspertiza në MPB, Qeveria dhe zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, e cila ka marrë kohë duke kontrolluar nëse Merko e ka shkelur Kodin, në situatë kur, siç tha Ivanovska “ne nuk e kemi paraqitur për kod, por për korrupsion”, njofton SDK, transmeton Portalb.mk.

Katër vite nuk dihet se çfarë ndodh me paraqitjen për lëndën për blerjen e “Audisë” luksoze në situatë kur komuna e ka pasur llogarinë e bllokuar dhe automjetet kundër zjarrit janë të prodhimit të vitit 1970.

Lënda është shëtitur nga Prokuroria për Krim të Organizuar deri te PTHP Strugë, pastaj është kthyer mbrapa dhe ka filluar të pluhuroset në Prokurorinë për Krim të Organizuar, që në vitin 2021, MPB të kërkojë dokumentacion nga Antikorrupsioni që të kryejë ekspertizë për lëndën. Prej atëherë, Komisioni nuk ka kurrfarë informate, nga asnjë institucion për këtë lëndë të iniciuar nga ana e tyre.

Antikorrupsioni në vitin 2019-të ka dorëzuar paraqitje edhe deri te Këshilli Gjyqësor për punën e kryetarit të Gjykatës Themelore – Strugë. Në momentin kur ka ardhur për kryetar Ramis Merko, kryetari i Gjykatës Themelore Strugë, e ka rritur vlerën minimale të shfrytëzimit të mjeteve nga llogaria e bllokuar e komunës që Merko të mundet të shpenzojë më shumë. Kështu, ai e ka blerë veturën “Audi”.

“Ankesa deri të Këshilli Gjyqësor ishte për shkak të dyshimit për ndikim politik ndaj gjykatësit i cili vepron ndaj kërkesës së borxhliut Komuna e Strugës për rritjen e vlerës minimale të shfrytëzimit të mjeteve për kryerjen e veprimtarisë themelore të Komunës. Pasi, për dy vendime me gjendje të njëjtë faktike, janë miratuar dy vendime të ndryshme”, tha Ivanoska.

Heshtje edhe nga Këshilli Gjyqësor, kështu që Komisioni në vitin 2021, ka marrë përgjigje “pas kontrolleve të kryera në arkivin elektronik, lëndë e tillë nuk është gjetur”.

“Ne kemi provë se ankesa në Këshillin Gjyqësor është pranuar”, tha Ivanovska dhe e tregoi vërtetimin për pranimin e ankesës.

Komisioni e ka paraqitur Merkon edhe në Qeveri, prej ku lënda është dërguar te zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, e cila, siç tha Ivanovska, i ka thënë se do ta kontrollojë fillimisht a ka shkelur Merko ndonjë kod etik.

Më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim, thuhet më tej në njoftim, dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më 21 qershor, koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.