Ageler pas vendimit të ShBA-së për Merkon: Do të luftojmë kundër kujtdo që minon sundimin e ligjit

Ambasadorja amerikane, Angela Ageler, dje përmes rrjetit social Facebook,  është deklaruar për shpalljen e kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në SHBA. Ageler thekson se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luftojnë kundër kujtdo që minon sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Populli i Maqedonisë së Veriut meriton integritet nga zyrtarët e tyre publikë dhe një sistem që do të kërkojë llogari. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shënjestrojnë këdo – pavarësisht pozicionit apo partisë politike – që minon sundimin e ligjit, duke kërcënuar përparimin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut”, shkroi Ageler.

Për të njëjtin vendim sot kanë reaguar edhe zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe koordinatori i Departamentit të Shtetit kundër korrupsionit, Richard Nephew.

Gërkovska pret që autoritetet gjyqësore t’i kuptojnë në mënyrë adekuate “mesazhet e qarta dhe hapat konkretë që po ndërmarrin aleatët ndërkombëtarë të Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit” në vend.

“Mesazhet e qarta dhe hapat konkretë të ndërmarrë nga aleatët tanë ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit duhet të kuptohen siç duhet nga autoritetet vendase të drejtësisë. Sepse roli i tyre kryesor është të sigurojnë barazi të qytetarëve para ligjit dhe të japin drejtësi efektive dhe jo selektive”, thotë Grkovska në postim.

Koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, tha se vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv.

“Sa herë që flisni për diçka që përfshin kufizime të vizave ose sanksione, gjithmonë do të ketë pyetje në lidhje me efikasitetin. Mendoj se në përgjithësi, megjithatë, ne kemi qenë në gjendje të tregojmë rezultate të rëndësishme në drejtim të ndihmës së aktorëve të shoqërisë civile dhe të tjerëve që nuk janë vetëm. Dhe se kur përballen me aktorë të korruptuar, kanë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, tha Nephew për redaksinë shqiptare të Zërit të Amerikës.

Vendimi i Uashingtonit për futjen në listën e zezë të Merkos, u shpall  më 20 qershor, me arsyetimin për përfshirjen e tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhej se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Veprimi në fjalë thuhej më tej në njoftim dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. “Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, përfundon njoftimi i Departamentit amerikan të Shtetit.

Përveç Merkos, Departamenti i Shtetit i vendosi edhe bashkëshorten e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij – Genc, ​​Nazmije dhe Drenusha – si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.