VMRO-DPMNE akuzoi se nipi i Ahmetit ka marrë grante nga Fondi për Inovacione, nga FIZHT thonë se nuk ia kanë aprovuar të gjithë projektet e propozuara

VMRO-DPMNE-ja opozitare sot përmes kumtesës akuzoi se nipi i Ali Ahmetit, 24-vjeçari Drin Ahmeti vitin e kaluar ka marrë 82 mijë euro nga Fondi shtetëror për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik – të njëtjtin vit kur, siç thonë, në krye të Fondit ka ardhur kuadër i BDI-së. Ndërkohë, ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së reagoi Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik të cilët thonë se nuk ia kanë aprovuar të gjithë projektet e propozuara, njofton Portalb.

“Më 10 maj të vitit 2022 dy firma të Drin Ahmetit ‘Top industris’ dhe ‘Everest XHD’ kanë fituar 82 mijë euro të holla shtetërore për bashkëfinancim të inovacioneve. Madje, Fondin nga janari i vitit 2022 e udhëheq kuadër i BDI-së Festim Halili, i cili sipas fotografive të cilat dolën në media vlen si mik afërt me familjen e Drin Ahmetit“, thuhet në kumtesën e partisë opozitare.

VMRO-DPMNE-ja në kumtesë potencon se nga aq shumë të rinj dhe inovatorë në vend, institucioni i cili udhëhiqet nga kuadër i BDI-së i ka ndarë të holla nipit të liderit të kësaj partie. Për këtë, thonë nga partia, duhet të ketë përgjegjësi dhe reagim nga institucionet kompetente.

Ndërkohë, ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së reagoi Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik. Në reagimin me shkrim të cilin e publikuan në profilin e tyre në Fejsbuk, nga FIZHT theksojnë se kompanitë “Top industris” dhe “Everest XHD” janë fitues të mbështetjes financiare nën instrumentin “Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike”. FIZHT, është me qëllim që të krijohen kushte për tejkalimin e pasojave nga kriza ekonomike dhe të realizojnë rritje të përshpejtuar përmes vendosjes së teknologjive inovative, të gjelbra dhe digjitale.

Megjithatë, shtojnë nga atje, i njëjti sipërmarrës ka dorëzuar propozim-rpojekte nën instrumente tjera për mbështetje nga Fondi,  por të njëjtit janë refuzuar nga ana e Komitetit për aprovim të investimeve, i cili është i përbërë nga pesë ekspertë botëror.

“Kjo do të thotë se çdo kompani e cila nuk i përmbush kriteret për përshtatshmëri të aplikuesit dhe ka marrë vlerësim negativ nga ana e Komitetit për aprovim të investimeve, nuk do të aprovohet për financim nga ana e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik”, shtohet në reagimin e FIZHT-së.

Nga atje shtojnë se Fondi për Inovacione është institucioni i vetëm në shtet i cili e ka certifikatën “ISO: 31007” për luftë kundër korrupsionit, ndërsa të gjithë kompanitë e paraqitura kalojnë në paraselektim të realizuar nga tre profesionistë vendor nga 22 sfera të ekspertizës.