BDI e quajti VMRO-në parti sinonim të krimit, pas akuzave se nipi i Ali Ahmetit ka fituar koncesion shtetëror

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, ne tribunë partiake publikoi një marrëveshje për të cilën thotë se është nënshkruar mes ESM-së shtetërore dhe kompanisë së Drin Ahmetit, nipit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Nga BDI dolën me reagim, duke theksuar se VMRO-DPMNE është parti sinonim i krimit dhe korrupsionit dhe, siç thonë, lideri i saj mburret gjithandej se i di saktësisht përmendësh të gjithë tenderët në komunat ku udhëheq VMRO-DPMNE, njofton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për marrëveshje, të cilën e ka nënshkruar gjithashtu Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, i cili e ka blerë qendrën tregtare Soravia për 30 milionë euro. Këtu kam marrëveshje me ESMN-në, që do të thotë se Drin Ahmeti është pronar i kompanisë Everest XhD i cili ka koncesion për gërmimin e gëlqeres dhe ai koncesion është diku 16, 17 vjet dhe është fituar që në kohën e pushtetit paraprak LSD dhe BDI. Marrëveshja ka të bëjë me shitblerjen e gëlqeres nga ana e ESM-së dhe kap vlerën e rreth 3.5 milionë denarë. Do të thotë se bëhet fjalë për kompani nga klani i Ahmetit dhe e cila përfshinë marrëveshje me ESM-në shtetërore”, tha Kovaçki.

Ai e ftoi Antikorrupsionin që të veprojë.

Nga BDI theksuan se VMRO-DPMNE është parti pa ideologji dhe pozitë, me lidhje që arrijnë deri në Kremlin.

“Dhjetëra procese gjyqësore janë ende aktive kundër zyrtarëve të tyre të shquar që nuk arritën të largoheshin nga vendi. VMRO-DPMNE është partia e fundit që duhet të flasë për krimin dhe korrupsionin. Mickoski dhe bashkëpunëtorët e tij vunë dorën në mjaltë kur erdhën për herë të parë në pushtet, duke dëshmuar se asgjë tjetër nuk mund të pritet prej tyre. VMRO-DPMNE është parti pa ideologji dhe pozitë, me lidhje që arrijnë deri në Kremlin dhe interesi i vetëm i saj është dëshira e zhveshur për pushtet dhe fitim. Është një organizatë patriotësh të rremë që i luten Zotit që dikush tjetër t’i zgjidhë problemet e qytetarëve, ndërsa ata përfitojnë nga nacionalizmi dhe nxitja e tensioneve. Mickovski vazhdon të konfrontohet me BDI-në me dëshirë që do të perceptohet si politikan i ligës së parë. E ka të kotë. BDI qëndron qartë në qëndrimet e veta dhe mbështet institucionet hetimore që të kryejnë punën e tyre pas çdo rasti apo dyshimi për parregullsi”, thonë nga BDI.

Këtë muaj, mediat shkruajtën se nipi i Ali Ahmetit, Drini, nëpërmjet kompanisë “Tor Industries”, bashkë me një kompani nga Shqipëria me emrin “Pe-vla-ku SHPK”, janë pronarët e rinj qendrës afariste “Soravia”, e cila ndodhet në Qendrën Tregtare Të Qytetit në Shkup. Drin Ahmeti është edhe bashkëpronar i kompanisë “Everest JD” e cila ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz, por që merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile.