“Alta Banka”, LSDM-ja akuzoi Bankën Popullore për fshehje të dokumenteve, VMRO-ja për përhapje paniku

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë përplasjet lidhur me shitjen e “Alta Bankës” në Manastir. LSDM-ja opozitare akuzon Bankën Popullore se po e fsheh vendimin me të cilin është miratuar hyrja e bankës serbe në tregun maqedonas, ndërsa VMRO-DPMNE-ja në pushtet pretendon se opozita po manipulon dhe po përhap panik në opinion, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, në një konferencë për media deklaroi se Banka Popullore nuk ua ka dorëzuar dokumentin mediave, edhe pse ato kanë kërkuar qasje në vendimin e Bordit Ekzekutiv të institucionit, pa informacionet eventualisht të klasifikuara dhe të ndjeshme. Sipas saj, kjo dëshmon se po tentohet të fshihet e vërteta për rastin dhe të shmanget përgjegjësia e guvernatorit Trajko Sllaveski dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

Nga Banka Popullore, në përgjigjen drejtuar “360 Gradë“, kanë thënë se vendimi i 1 shtatorit 2025, me të cilin është mundësuar marrja e “Stopanska Bankës”Manastir nga “Alta Banka”“ Beograd, përmban informacione të klasifikuara dhe konfidenciale, të cilat nuk mund të publikohen apo të ndahen, madje as në formë të pjesshme.

Kuzeska kërkoi që Prokuroria të veprojë sa më shpejt lidhur me kallëzimin penal të dorëzuar nga LSDM-ja. Ajo pretendoi se kanë kaluar 21 ditë nga shpërthimi i skandalit dhe 10 ditë nga dorëzimi i kallëzimit penal, pa nisur ndonjë procedurë hetimore.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, akuzoi LSDM-në se po manipulon me akuza të pabazuara dhe po përhap panik lidhur me shitjen e bankës. Ai tha se pretendimet e mëparshme të opozitës për transfere të dyshimta milionëshe drejt Serbisë dhe Rusisë, si dhe për rrezikun që qytetarët të mbeteshin pa paratë e tyre, janë dëshmuar të pavërteta.

Manasievski paralajmëroi gjithashtu se në Kodin e ri Penal do të parashihet vepër e re penale, me dënim me burg për personat që, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare ose shoqërore dhe reputacionin e tyre, përmes deklaratave apo dokumenteve të rreme përhapin informacione të pasakta që rrezikojnë stabilitetin e sistemit bankar.

Ndërkohë, procedura për shitjen e bankës është publikuar nga Banka Popullore më 16 nëntor në “Gazetën Zyrtare”. Në ankandin publik, të caktuar për 30 nëntor, janë ofruar 372.742 aksione të zakonshme, përkatësisht 95,336 përqind e aksioneve në pronësi të “Alta Bankës” Beograd, e cila ndodhet në falimentim.

Komercijalna Banka nga Shkupi ka njoftuar se do të marrë pjesë në ankandin e ardhshëm për blerjen e aksioneve të “Alta Bankës” në Manastir.

“Alta Banka” Beogradit iu revokua licenca më 31 tetor, ndërsa më 3 nëntor u hap procedura e falimentimit. Për pagesën e depozitave të siguruara u përzgjodh “Poshtanska shtedionica”.

Pronari Davor Macura u arrestua më 2 nëntor, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe nxjerrje të paligjshme të rreth 380 milionë eurove nga banka. Ai e ka mohuar fajësinë, ndërsa Gjykata e Lartë në Beograd më 4 nëntor i caktoi paraburgim deri në 30 ditë, raporton N1.

Zhvillimet me aksionarin nga Beogradi sollën masa edhe në Maqedoninë e Veriut. Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, me arsyetimin se duhet të mbrohen pasuria e bankës dhe interesat e depozituesve deri në ndryshimin e pronësisë.