Zjarri afër Bllacës nuk është shuar ende, 7 zjarre aktive në RMV
Në Maqedoninë e Veriut janë shtatë zjarre aktive mes të cilëve edhe zjarri afër kufirit me Kosovën në Bllacë, shkruan Portalb.mk.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, në 24 orët e fundit ka 7 zjarre aktive, 1 i lokalizuat, 1 nën kontroll dhe 23 janë shuar.
Zjarret aktive janë në Komunat e Prilepit, Makedonsi Brod, Çashkë, Çuçer Sandevë, shutë Orizare, Dojran dhe Kriva Pallankë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, pohon se zjarri pranë Bllacës nuk është shkaktuar nga një bisht cigareje i hedhur, por se ka indikacione serioze se është ndezur qëllimisht.
Ai thotë se sot, pas një kontrolli rutinë në disa vende, u gjetën dërrasa të hedhura në bredha në disa vende, prandaj, siç thotë ai, vija e frontit ishte kaq e gjerë.
Angellov u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë në linjën telefonike 112.
Në zjarrin afër Bllacës, në afërsi të Lumit Lepenc u dogj një person dhe disa bagëti.
Në ndërkohë, vullnetarët e Kryqit të Kuq edhe sot janë aktivisht të angazhuar në terren, duke ofruar mbështetje në përballjen me zjarrin që po përhapet në rajon.
“Me përkushtim të palodhur, ata marrin pjesë në mbështetje logjistike dhe ndihmë për shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit. Pishinat tona janë vënë në dispozicion për mbushjen me ujë të helikopterëve, gjë që e përshpejton ndjeshëm procesin e shuarjes dhe mundëson ndërhyrje më të shpejtë në zonat më të prekura”, thanë nga Kryqi i Kuq.
Ministria e Shëndetësisë informoi se mbrëmë, në zonën e Spitalit Klinik “Dr. Trifun Panovski” – Manastir, ka shpërthyer një zjarr si pasojë e djegies së barit të thatë.
“Zjarri u raportua menjëherë në Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe në stacionin e zjarrfikësve, pas së cilës shërbimet kompetente ndërhynë shpejtë e me efikasitet dhe e lokalizuan atë në kohën më të shkurtër të mundshme. Nuk pati dëme materiale në mjediset e spitalit, as nuk u kërcënua siguria e pacientëve dhe punonjësve. Puna e spitalit është duke vazhduar pa pengesa”, informoi Ministria e Shëndetësisë.
Maqedonia e Veriut, ngjashëm si vitin e kaluar, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara.
Problem në këtë drejtim mbetet mungesa e pajisjeve dhe burimeve njerëzore në përballjen me zjarret.
Për të zbutur këtë situatë, pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.
Kujtojmë që në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Ndryshe, viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pjesë e programit të Kopernikut,
Madje, në gushtin e vitit të kaluar vendi e aktivizoi Mekanizmin për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.
- LEXO: U rihap kufiri ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në pikën Bllacë – Hani i Elezit
- LEXO: Do të punësohen 400 zjarrfikës, plotësohet vetëm gjysma numrit të nevojshëm
- LEXO: Një helikopter i MPB-së po e shuan zjarrin në rrugën mbi pikën kufitare Bllacë
- LEXO: Zjarri në lagjen Gege që e përfshiu edhe oborrin e Spitalit të Psikiatrisë Bardovcë është vendosur nën kontroll