Një helikopter i MPB-së po e shuan zjarrin në rrugën mbi pikën kufitare Bllacë

Në shuaren e zjarrit që shpërtheu pasditen e sotme në rrugën drejt pikës kufitare Bllacë po intervenon një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa komunikacioni në rrugën drejt kufirit po zhvillohet në drejtim të ndryshueshëm, informuan nga Qendra për Menaxhim me Kriza dhe LAMM, njofton Portalb.mk.

“Helikopteri momentalisht është aktiv në terren dhe aktivisht marrin pjesë në shuarjen e zjarrit të madh që shpërtheu mbi rrugën magjistrale Shkup – Pika kufitare Bllacë. Drejtori i QMK-së Muhamed Ali, nga terreni po e koordinon aksionin për ballafaqim me zjarrin. Pas denoncimit në numrin për thirrje urgjente 112 për zjarr në terren të pakalueshëm para tunelit, nga ana e djathtë e rrugës, QMK menjëherë dërgoi kërkesë urgjente për mbështetje ajrore deri te Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në publikimin në ueb-faqen e QMK-së.

QMK paraprakisht kumtoi se zjarri që shpërtheu mbi rrugën magjistrale Shkup – PK Bllacë, para tunelit nga ana e djathtë, është me intensitet të madh, ndërsa era e fuqishme po e shpërndan dhe po e drejton drejt kodrës, ndërsa pjesa tjetër po lëvizë drejt fshatrave Bllacë dhe Çuçer.