Një person ka ndërruar jetë nga zjarri afër lumit Lepenc në Maqedoninë e Veriut

Në zjarrin që dje ka kapur disa ferma dhe hapësira ndihmëse në afërsi të lumit Lepenc në Gjorçe Petrov, është djegur një person dhe disa bagëti, transmeton Portalb.mk.

“Dje në ora 18 në SPB Shkup, është raportuar se te ura e lumit Lepenc, në afërsi të stacionit policor në Gjorce Petrov, është ndezur një zjarr në një sipërfaqe të thatë, zjarr që është shpërndarë dhe ka kapur edhe hapësira ndihmëse dhe një ferma, ku ka pasur edhe disa kafshë shtëpiake”, njoftojnë nga Policia e Maqedonisë së Veriut.

Pas shuarjes së zjarrit nga Brigada për mbrojtje kundërzjarr Shkup, është gjetur edhe një trup njeriu i djegur.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut këto ditë po përballe me zjarre masive të pakontrolluara. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, ka paralajmëruar punësimin e 400 zjarrfikësve të përkohshëm.

Dje (6 korrik), qeveria promovoi 38 automjete të vjetra të ushtrisë dhe policisë që u ripërdorën për shuarjen e zjarreve. Angellov tha sot se disa nga këto automjete po përdoren aktualisht për të shuar zjarrin e madh pranë Bllacës dhe kanë provuar të jenë shumë efektive.