Zjarri në lagjen Gege që e përfshiu edhe oborrin e Spitalit të Psikiatrisë Bardovcë është vendosur nën kontroll
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) sonte informoi se është nën kontroll zjarri në lagjen Gege në Komunën e Gjorçe Petrovit, i cili u përhap drejt lagjes Bardovcë dhe ka përfshirë një pjesë të hapësirës së oborrit të Spitalit të Psikiatrisë Bardovcë, i mbuluar me bar të gjatë dhe pemë të thata, njofton Portalb.mk.
“Zjarri paraqiste rrezik që tëpërhapet në gjithë kompleksin e spitalit. Menjëherë është filluar me evakuuimin e pacientëve dhe personelit, të cilët janë nxjerrë sigurtë jashtë objektit. Për momentin, zjarri është vënë nën kontrol dhe nuk ka nevojë për mbështetje plotësuese ajrore”, kumtuan nga QMK-ja.
Edhe nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se situata është plotësisht nën kontroll dhe nuk ka arsye për shqetësim.
“Për arsye sigurie, për një periudhë të shkurtër kohore u bë evakuimi parandalues i një pjese të pacientëve dhe të punonjësve. Ndërhyrja e shpejtë dhe e koordinuar e shërbimeve kompetente parandaloi përhapjen e zjarrit drejt objekteve spitalore. Nuk është shkaktuar asnjë dëm material në objektet dhe nuk janë regjistruar persona të lënduar në mesin e pacientëve apo stafit. Zjarri ka përfshirë vetëm një pjesë të jashtme të oborrit, të mbuluar me bar të thatë, dhe i njëjti është lokalizuar me sukses”, potencojnë nga Ministria.
Nga Ministria e Shëndetësisë kumtuan se në objektet e spitalit është i pranishëm personel mjekësor dhe administrativ kujdestar, i cili do të qëndrojë në gatishmëri dhe do ta ndjekë situatën nga afër.