Zjarret në Jazhincë, Jasen dhe Likovë janë ende aktive

Më 16 dhe 17 gusht, deri në 08:00, në territorin e RMV-së janë regjistruar gjithsej 27 zjarre në hapësirë të hapur, prej të cilëve: 2 zjarre janë aktive, 1 nën kontroll dhe 24 të shuara, transmeton Portalb.mk

Zjarret aktive: 

  1. Komuna Brodit– Zona “Jasen” (pyll i përzier).
  2. Komuna Kumanovë dhe Likovë – f. Lojan dhe f. Tabanoc (vegjetacion i ulët dhe pyll i përzier).

Zjarri nën kontroll: 

  1. Komuna Jegunovcë – ndërmjet fshatrave Rogachevë, Jazhincë, D. Oreshjë (kullota dhe pyll i përzier).

Vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë. Zjarret, si ato të viteve të mëparshme, edhe këtë vit e kanë karakterizuar verën në vendin tonë. Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve, si dhe aktivitetet njerëzore, në disa raste të qëllimshme, janë arsyet kryesore që malet, por edhe deponitë dhe arat po digjen.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).