352 persona përfunduan trajnimin dy-ditor për zjarrfikës në RMV, nesër do të nënshkruajnë kontrata angazhimi

Në thirrjen publike të Qeverisë në lidhje me masën aktive nga plani operativ për vitin 2025, punë publike për mbrojtje dhe parandalim nga zjarri dhe përmirësim të mjedisit në nivel lokal (pyllëzim) – (masa pilot) u parqitën 499 kandidatë, informoi sot Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, transmeton Portalb.mk.

Nga këta, 364 kandidatë u paraqitën për trajnim dhe 352 persona e kaluan me sukses trajnimin.

“Pas trajnimit teorik dhe praktik dy-ditor të zhvilluar në koordinim me përfaqësues të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe departamenteve territoriale të zjarrfikësve të qytetit ku u zhvillua trajnimi, 352 persona do të vazhdojnë dhe nesër do të nënshkruajnë kontratë për angazhim pune për punë publike me Agjencinë e Punësimit, ku partnerë janë edhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe komuna përkatëse që është pjesë e kësaj mase qeveritare”, tha Angellov.

Trajnimi i kandidatëve është kryer në 13 qytete në vend, përfshirë Shkupin. Dita e dytë e trajnimit i është kushtuar pjesës praktike, pra teknikave të zjarrfikjes, teknikave të përdorimit të pajisjeve të zjarrfikjes, është kontrolluar aftësia fizike e kandidatëve, si dhe ndihma e parë, e cila është kryer me ndihmën e Kryqit të Kuq të Maqedonisë.

Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe sivjet vendi përballet me shumë zjarre në pyje.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).