Zjarri në Jazhincë vazhdon të jetë aktiv, po digjet edhe në “Jasen”

Zjarret pranë fshatit Jazhincë, Komuna e Jegunovcës dhe në zonën shumëfunksionale “Jasen” janë ende aktive, njoftuan nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, gjithashtu raportoi për zjarrin në Jazhincë këtë mëngjes, duke thënë se në këtë moment vija e majtë e shuar tregon vatra të nxehta dhe shenja të rindezjes. Prandaj, tha Angelov, është aktivizuar helikopteri i policisë, i cili vepron duke hedhur ujë, transmeton Portalb.mk.  

“Një degë e zjarrit po lëviz në drejtim të fshatit Dvorcë drejt anës së Shkupit”, tha Angellov.  

Ai shtoi se zjarrfikësit me automjete nga njësitë territoriale të zjarrfikësve nga Tetova, Gostivari, Velesi dhe Kavadari, si dhe banorët vendas, janë në vendngjarje. 

Dje pasdite, zjarri pranë Jazhincës u vu nën kontroll, por në mbrëmje u ndez përsëri 

Angellov tha se për shkak të barit të gjatë, shkurreve dhe pemëve të bredhave që ndizen lehtë, të shoqëruara me një erë të dobët, zjarri u bë më i gjatë se një kilometër duke lëvizur në drejtim të autostradës Tetovë-Jazhincë.  

“Ne shpejt vendosëm mbrojtje në rrugë me dhjetë cisterna kundër zjarrit, tetë ‘pinzgauer’ dhe një top uji të Ministrisë së Brendshme për të parandaluar kalimin e zjarrit mbi rrugë, nëse e arrinte atë”, tha Angellov, duke shtuar se pasi era u bë e favorshme për të vepruar, u krijuan kushte për shuarje gjatë natës. 

Ai sqaroi se shuarja u zhvillua në dy faza, shuarje, kontrollim dhe shuarje tërësishme të vijës së shuar, duke mos lënë vatra. 

“Diku rreth orës tre të mëngjesit, e gjithë vija e majtë e zjarrit, më shumë se një kilometër e gjatë, u kapërcye. Vija e djathtë e zjarrit ishte larg dhe për shkak të terrenit të vështirë të mbuluar me bimësi të dendur plot me gjemba, nuk mund të afrohej”, shtoi tutje Angellov.

Vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë. Zjarret, si ato të viteve të mëparshme, edhe këtë vit e kanë karakterizuar verën në vendin tonë. Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve, si dhe aktivitetet njerëzore, në disa raste të qëllimshme, janë arsyet kryesore që malet, por edhe deponitë dhe arat po digjen.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).