Qeveria e RMV-së zgjati gjendjen e krizës për shkak të zjarreve edhe për 30 ditë të tjera

Në seancën e sotme Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit, transmeton Portalb.mk.

“Të gjitha burimet njerëzore, teknike dhe logjistike mbeten të mobilizuara për t’u përballur me zjarret”, shtoi deklarata.

Qeveria u bën thirrje edhe një herë qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të respektojnë ndalimin e plotë të lëvizjes në pyje, i cili është në fuqi deri më 31 gusht. Për ata që nuk i përmbahen këtij vendimi, parashikohet gjobë prej 1,500 deri në 2,000 euro.

Paraprakisht gjendje krize 30-ditore në Maqedoninë e Veriut shpalli në mesin e qershorit pasi i vlerësoi si serioze kërcënimet që vijnë nga zjarret aktive në vend.

Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe sivjet vendi përballet me shumë zjarre në pyje.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).