Gjykimi për “Puls”-in do të vazhdojë më 3 nëntor
Me pyetjet shtesë të kryqëzuara sot në seancën në Idrizovë pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup përfundoi seanca dëgjimore e ekspertit Petre Ruseski, i cili përgatiti ekspertizën ndërtimore për të akuzuarin e parë Dejan Jovanov dhe dy të akuzuarit e tjerë në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, raporton MIA.
Gjatë disa seancave gjyqësore, Prokuroria kundërshtoi përfundimet e tij lidhur me ndërhyrjet ndërtimore në objekt, dokumentacionin dhe kushtet për evakuim, ndërkaq, Ruseski mbeti në qëndrimin se, nga pikëpamja ndërtimore, nuk kishte pasur rindërtim apo ndryshim të destinimit të objektit, por vetëm rregullim të brendshëm të enterierit dhe punime artizanale.
Në seancën e sotme gjyqësore, Ruseski iu përgjigj pyetjeve të kryqëzuara të mbrojtjes, pas së cilës disa prej avokatëve të të akuzuarve paraqitën edhe vërejtjet e tyre lidhur me dëshminë e tij.
Mbrojtja e “Venci projekt”, si vërejtje, theksoi se dokumenti ishte verifikuar nga Viktor Apostolov, ndërsa “Venci projekt” dhe Milka Edrovska nuk kishin autorizim dhe licencë për kryerjen e veprimtarive në fushën e arkitekturës. Për këtë arsye, sipas mbrojtjes, ata nuk mund të vërtetonin një projekt të hartuar nga një person tjetër”, projektues ose arkitekt.
Mbrojtja e pronarit të objektit, Grozdan Milkoski, nga ana e tij, theksoi se eksperti kishte konfirmuar që gjendja e objektit nuk kishte qenë shkak i shpërthimit të zjarrit dhe i pasojave të tij, se objekti ishte ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe se, pas lëshimit të kësaj lejeje, ai ishte vënë në posedim të qiramarrësit.
Në seancën e ardhshme gjyqësore, siç është paralajmëruar, pritet të dëgjohet një ekspert i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarës Milka Edrovska, inxhiniere nga kompania “Venci projekt”.
Ruseski, në dëshminë e tij para Gjykatës, deklaroi se qiramarrësi i hapësirës, Dejan Jovanov, nuk kishte kryer punime ndërtimore që mund të cilësoheshin si rikonstruim i objektit, por kishte realizuar punime ndërtimore-zejtare dhe rregullim të enterierit për nevojat e veprimtarisë së tij. Ai gjithashtu pohoi se objekti ishte ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe se, gjatë ndryshimit të veprimtarisë në vitin 2012, nuk ishte kryer rindërtim ndërtimor apo ndryshim i destinimit të objektit, por vetëm rregullim i enterierit, i realizuar në bazë të dokumentacionit teknik të kompanisë “Venci projekt”.
Prokuroria, megjithatë, ngriti pyetje lidhur me fushëveprimin e ekspertizës së tij, aspektet e sigurisë së objektit dhe angazhimet e mëparshme profesionale. Ruseski deklaroi se nuk konsideron se ekzistojnë arsye për përjashtimin e tij nga procesi, pasi Prokuroria kundërshtoi angazhimin e tij, duke pasur parasysh se ai është i akuzuar për dëshmi të rreme në një çështje tjetër.
Gjatë marrjes në pyetje të kryqëzuar nga Prokuroria, eksperti Petre Ruseski mbeti në qëndrimin se, nga aspekti ndërtimor, objekti nuk kishte pësuar as rindërtim dhe as ndryshim të destinimit, por bëhej fjalë ekskluzivisht për rregullim të enterierit. Sipas pretendimeve të ekspertit Ruseski, objekti që në fillim ishte projektuar dhe ndërtuar për qëllime afariste, gjë që, sipas tij, në bazë të Ligjit për ndërtim, e bën atë të njëjtin lloj objekti edhe pas përshtatjes në diskotekë.
Para fillimit të seancës së sotme gjyqësore, Aleksandar Naunov, prind i njërit prej fëmijëve të viktimave, në emër të familjeve, shprehu mbështetjen për Prokurorinë Publike dhe mënyrën se si ajo veproi gjatë marrjes në pyetje të kryqëzuar të ekspertit të mbrojtjes. Ai vlerësoi se, gjatë seancës së kaluar, falë pyetjeve të Prokurorisë, dolën në pah kundërthënie serioze në dëshminë e ekspertit.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.