Një fotografi e para shtatë viteve nga Siria, e shfaqur si të ishte tani nga Gaza

Ne analizojmë një postim në Facebook që shpërndan një foto të vjetër nga Siria dhe e lidh atë me konfliktin aktual të Izraelit me Hamasin, shkruan Vërtetmatësi.

Duhet koment, pyet postimi duke ndarë dy foto.

Njëra foto tregon fëmijë të vdekur të mbështjellë me çarçafë të bardhë dhe tjetra tregon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të mbuluar me gjak, duke aluduar për fajësinë e Izraelit për vdekjen e fëmijëve të paraqitur.

Komentet nën postim janë në atë drejtim, se ky është një gjenocid dhe masakër e rëndë, një krim i llojit më të keq dhe madje bën thirrje për vdekje për Netanyahun.

Gati 5,100 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që kur Izraeli filloi një bombardim të pamëshirshëm të enklavës së rrethuar pas një sulmi të Hamasit në Izrael më shumë se dy javë më parë, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Rreth 40 për qind e 5087 personave të vrarë ishin fëmijë, tha të hënën ministria e shëndetësisë e Gazës, ditën kur ushtria izraelite tha se kishte kryer më shumë se 300 sulme të reja ajrore brenda 24 orëve. Autoritetet palestineze njoftuan se më shumë se 400 njerëz u vranë gjatë asaj periudhe, raportoi Al Jazeera këto ditë.

Por fotoja e shpërndarë në postim nuk ka të bëjë me Izraelin dhe nuk tregon fëmijë palestinezë të vrarë. Nga kontrolli ynë rezultoi se fotografia është e vitit 2013 dhe ka të bëjë me një sulm me armë kimike në Siri.

Fotoja e shpërndarë, e cila tregon trupat e të paktën shtatë fëmijëve të mbështjellë me leckë të bardhë, mund të gjendet në arkivin e AFP. Sipas përshkrimit të vetë fotografisë, ajo është publikuar nga rrjeti i opozitës siriane Shaam News Network dhe tregon trupat e fëmijëve të mbështjellë me çarçafë të shtrirë në tokë, të cilët rebelët sirianë pretendojnë se janë vrarë më 21 gusht 2013 në periferi të Damaskut në një sulm me gaz helmue nga forcat pro-qeveritare.

Fotografia shfaqet gjithashtu në artikujt e vitit 2013 mbi Sirinë dhe armët kimike.

Reuters raportoi se qindra njerëz u vranë në një sulm me gaz sarin më 21 gusht 2013 në periferinë e Damaskut, Ghouta.

Nga kjo mund të konkludojmë se fotografia me fëmijë të vdekur qarkullon në internet të paktën që nga gushti i vitit 2013 dhe ka të bëjë me luftën civile në Siri. Sipas shkrimeve në media të asaj kohe, fëmijët kanë vdekur si pasojë e helmimit me gaz helmues. Pra, fotoja që po qarkullon tashmë në postimet në Facebook nuk ka të bëjë fare me Izraelin. Pa kontekstin e duhur të kohës dhe vendndodhjes ku u shkrep, dhe e shfaqur së bashku me një foto të korrigjuar të kryeministrit izraelit Netanyahu të mbuluar me gjak, ajo dërgon mesazhin krejtësisht të gabuar se krimi ndodhi tani, gjatë konfliktit të fundit izraelito-palestinez, dhe se Netanyahu është përgjegjës për këtë.