RMV, këto janë qëndrimet e kandidatëve presidencial ndaj gjyqësorit dhe reformave në drejtësi

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut kundrejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ishte mjaftë shqetësues në veçanti me progreset në disa sfera, edhe atë: drejtësia, administrata publike, lufta kundër korrupsionit dhe rrishqyrtimi i Kushtetutës si polarizim politik. Portalb.mk analizoi programet zgjedhore të kandidatëve të koalicioneve për të informuar opinionin se çfarë premtojnë në këtë fushë.

Kapitulli 23 nga raporti i KE-së, konstaton se nuk ka asnjë progres në sistemin e drejtësisë,  të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit. Reformat në administratën publike kanë notën -1, gjë që dëshmon se duhet strategji e veçantë për menaxhimin e sektorit publik dhe shërbimeve që ofrojnë të njejtat, thuhet në analizënPortalb.mk.Partitë politike duhet të angazhohen për një debat konstruktiv politik për rishikimin e legjislacionit dhe gjithëpërfshirjen e popujve, siç është rasti me bullgarët. 

Nisur nga ky raport, kandidatët presidencial në fushatat e tyre po ashtu edhe programet zgjedhore theks të veçantë vendosin pikërisht pikave të lartëpërmendura, por ka edhe prej atyre që nuk pajtohen e kundërshtojnë kategorikisht të njejtat.  

Kandidati i LSDM-së dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski në programin e tij presidencial “Presidenti ynë Stevo” në RMV, zotohet se do të drejtoj nismën e vetingut në drejtësi e politikë, ndërsa për vënien e drejtësisë në vend, kërkon mbështetjen e ekspertëve vendas e të huaj, strukturave politike, në shqyrtimin e pasurisë e patundshmërisë ndaj zyrtarëve, poqë se vie në pushtet, ndërkaq i gjithë ky proces të jetë transparent.  

“Duke ndjekur proceset gjyqësore në RMV, në të shumtën e rasteve për krim të organizuar dhe korrupsion, kuptuam se arma kyçe në luftën ndaj tyre janë vetë njerëzit. Këtu para se gjithash mendoj për politikanët, për gjykatësit, prokurorët publik, dhe zyrtarët në sistemin e drejtësisë në RMV.  Në mandatin e dytë të mundshëm si president i RMV, do jem flamurtar i inicativës për vetingun në drejtësi dhe politikë. Duhet patjetër nëpërmjet ligjeve të posaçme përkatëse të shqyrtojmë të gjithë gjykatësit, prokurorët, zyrtarët e politikanët, burimin e pasurisë dhe patundshmërisë së tyre, familjarëve e të afërmit. I gjithë ky process duhet të zhvillohet në mëyrë transparente me ndihmën ekspertëve vendas e të huaj, si dhe strukturave partiake”, thuhet në programin presidencial të LSDM-së. 

Procesi i integrimit të RMV në BE është burim stabiliteti nga jashtë, por që varet nga transformimi shoqëror që do zhvillohet brenda në shtet, qëndron në programin e programit të koalicionit VLEN “Taravari president”, njëashtu se nuk do dekretohen shpalljet e ligjeve laksiste e anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal. 

“Sistemi politik i korruptuar është armiku ynë numër një, frenuesi më i madh për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe mirëqenien e qytetarëve, por edhe penguesi kryesor për integrimin evropian. Shteti i së drejtës garanton demokracinë dhe është jetën në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirisë së mediave, promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e një mjedisi të favorshëm për biznesin dhe investitorët. Në program parashihet edhe zotimi për mos dekretim të ligjeve laksiste që largojnë RMV nga normat evropiane, poashtu edhe anulimi i ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023 që ishin anti-evropiane e të dëmshme për luftën ndaj korrupsionit”, qëndron mes tjerash në programin kandidatit presidencial Arben Taravari. 

Në programin e kandidates presidenciale në RMV Gordana Siljanovska Davkova “Maqedonia përsëri krenare” nga VMRO-DPMNE, që në hyrje gjejmë akuza për gjendjen aktuale dhe zgjidhje për gjyqësorin në RMV. Akuzat sipas programit të lartë përmendur fillojnë që nga qeverisja jo legjitime, ngritje të iniciativave ndaj dhe para Gjykatës Kushtetuese, si dhe departizimi i drejtësisë. 

“Në BE dhe botë do të jemi të respektuar, poqë se ndërtojmë gjyqësor të pavarur mbi ligjin, drejtësinë dhe moralin. Qeverisja në gjyqësor është larg pavarësisë, ndërkaq reformat janë të partizuara në RMV.  Në bashkëpunim me Qeverinë kryetari mund të nis procedurë para Gjykatës Kushtetuese në raport me aktet që sjell qeveria, si dhe mund të ngrit iniciativë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të ligjit nga ana e Gjykatës kushtetuese në vend. Në procesin e ndryshimeve kushtetuese, do të merren parasysh interesat nacionale dhe shtetërore të RMV, parimet kushtetuese, mbrojtja e identitetit e integritetit maqedonas, principet themelore të BE-së, KE-së, si dhe principet më të gjëra të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në programin e platformës presidenciale nga VMRO. 

Krimi i organizuar dhe reforma në gjyqësor në RMV janë dy pikat ku vendoset theks i veçant në programin presidencial të kandidatit Bujar Osmani nga radhët e BDI-së. Korrupsioni shihet si sfidë kryesore në vendosjen e një sistemi të suksesshëm funksional të sundimit të ligjit në RMV, që do mbështetej nga një Bord i posaçëm Drejtues Ndërkombëtar thuhet në program. 

“Me hapjen e klasterit të parë, hapen edhe kapitujt e parë 23 dhe 24 të dedikuar për reformim të plotë të sistemit gjyqësor dhe vendosjen e sistemit efikas për sundimin e së drejtës. Një prej sfidave kryesore të vendit është përballja me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Iniciativat e shumta për reforma në sistemin gjyqësor nuk e arritën qëllimin final. Korrupsioni si sfidë kryesore për vendosjen e një sistemi të suksesshëm funksional të sundimit të ligjit. Presidenti mund të sigurojë inkorporim të vetingut për gjithë sistemin, duke i përfshirë të gjithë bartësit e funksioneve publike, me çka do të përforcohet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve. Në funksion të kësaj, Presidenti do të iniciojë një Bord të posaçëm Drejtues Ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në programin e Frontit Evropian. 

Në programin e kandidates presidenciale në RMV, Biljana Vankovska nga rradhët e Levica-s, janë të përfshira dhjetëra iniciativa të cilat kryesisht theks të veçant vendosin ndryshimin e kornizës aktuale të negociatave me BE-në dhe se Kushtetuta është nën diktatin e huaj. “Rrikthejmë dinjitetin e nacionalitetit” si program kandidates Vankovska, përmban njëashtu qëndrim kundër shkeljes së vetëvendosjes, prishjen e Marrëveshjeve me fqinjët si dhe Kushtetutë qytetare. 

“Të insistohet në ndryshimin e kornizës aktuale të RMV-së në negociatat me BE-n, për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe anashkalimi i ligjit të brendshëm. Qytetarët e RMV-së kanë të drejtë të pavarur të sjellin Kushtetutë të vete qytetare, si marrëveshje shoqërore, e jo si rezultat i diktateve nga jashtë. Prishjen e Marrëveshje me fqinjët edhe atë: “Marrëveshjen e Prespës”, prishjen e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim me Bullgarinë nga neni 13, rrishqyrtim i politikave të BE-së, largimi nga NATO dhe afrimi kah vendet e BRIKS“, thuhet në programin e Vankovska-s. 

Redaksia e Portalb.mk kërkoi programin e kandidatit presidencial Maksim Dimitrievski në faqen e tij zyrtare dhe rrjetet sociale për ta shqyrtuar qëndrimin e tij ndaj gjyqësorit në RMV, por të njëjtën nuk e gjetëm në formë të shkruar.