Ursula von der Leyen të hënën në Shkup, paralajmëroi Mariçiq
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të hënën do të vizitojë Shkupin, për të diskutuar për reformat e nevojshme dhe fondet shtesë që duhet t’i marrim si ndihmë nga BE-ja dhe motivimin për reformat dhe sigurisht për ato obligime që na mbesin, për ta kompletuar këtë fazë të anëtarësimit dhe të kalojmë në të dytën, përkatësisht në hapjen e klasterit dhe me këtë ta paralajmërojmë edhe përfundimin e skriningut, deklaroi për MIA-n zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq në fund të vizitës së tij të punës në Bruksel, transmeton Portalb.mk.
“Çdo vizitë të nivelit të lartë të këtij kalibri ne e konsiderojmë për një sinjal të mirë për rajonin tonë. Të mos harrojmë se javën e kaluar kishte Samit të Procesit të Berlinit në Tiranë, ku gjithashtu ishte e pranishme edhe kryetarja e Komisionit Evropian. Aty paralajmëroi se do të ketë një turne nëpër Ballkanin Perëndimor. Ajo turne fillon pikërisht nga këtu, nga Shkupi, nga Maqedonia e Veriut dhe mendoj se kjo do të jetë një sinjal i mirë”, theksoi Mariçiq.
Sipas tij, pritet që ajo t’i paraqesë raportet e KE-së për përparimin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, publikimi i të cilave është parashikuar për më 8 nëntor, si dhe t’i prezantojë pikat kryesore të Planit për rritje të Ballkanit Perëndimor, që duhet të publikohet deri në fund të këtij viti.
“Si kurrë më parë do të na ofrohet shans edhe për më shumë para, sipas këtij Plani për rritje, nëse bëjmë më shumë reforma. Kjo është një nga parimet kryesore – më shumë para për më shumë reforma dhe sikur kurrë deri më tani na shikojnë si anëtare e ardhshme e BE-së”, theksoi Mariçiq
Ai tha se pritet që në javën e parë të dhjetorit të përfundojë skrining procesi i plotë, pas së cilës më tej do të punohet vetëm në raportet për çdo klaster.
Megjithatë, sipas tij, që ta mbahet tempi me Shqipërinë, por edhe me vendet tjera kandidate për anëtarësim, do të duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese.
Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet.
Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.