Mickoski për vizitën e presidentes së KE-së: Duhet të dalë me qëndrim për fillim të pakushtëzuar të negociatave

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski duke komentuar sot vizitën e presidentes së KE-së në vend, Ursula von der Leyen tha se, pret zyrtarja evropiane të befasojë pozitivisht vendin dhe të thotë se vendi do të fillojë negociatat pa asnjë kusht. Ai tha se, kjo është më e pakta që ajo mund të bëjë për të treguar respekt ndaj popullit maqedonas, tranmseton Portalb.mk.

“Pres që presidentja e Komisionit Evropian, të dalë me qëndrim se Maqedonia do të fillojë në mënyrë të pakushtëzuar negociatat me BE-në, edhe pse jam shumë i vetëdijshëm për mangësitë e shumta që i kemi në planin vendor për shkak të Qeverisë së korruptuar. Në atë mënyrë do t’i jepet mirënjohje qytetarëve dhe shtetit për 23 vitet e kaluara, kur nënshkruam marrëveshjen për stabilizim dhe do t’i jep respekt për gjitha poshtërimet që i ka përjetuar populli maqedonas”, deklaroi Mickoski, lider i VMRO-së

Me vizitën në Maqedoninë e Veriut më 29 dhe 30 tetor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të fillojë turneun katërditor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas paralajmërimeve, shefja e KE-së do të arrijë në vend të dielen, kur është paraparë të takohet me presidentin Stevo Pendarovski. Të hënën, pritet të realizohet takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Tani për tani nuk është paralajmëruar takim me liderin e VMRO – DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski.

Mickoski tha se tani për tani nuk është dakorduar takim me Von der Leyen-in, por se mbetet në qëndrimin e njëjtë për ndryshimet kushtetuese.

Në kumtesën e Komisionit Evropian theksohet se gjatë kohës së qëndrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, Leyen do të prezantojë detaje nga plani i Bashkimit Evropian për zhvillim të rajonit.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.