Vit bombash në arsim: Mungesë librash, politizim, korrupsion dhe reforma në letër
Lëvizjet në arsim ishin të shumta gjatë vitit të kaluar, duke filluar që nga rënia e numrit të nxënësve dhe studentëve, mbi 300 kërcënime me bomba në shkolla, dhuna midis nxënësve, diskriminimi i diasporës shqiptare në mësim, parregullsitë e shfrytëzimit të parave nga Ministria e Arsimit, refuzimi i ndërtimit të shkollave nga Kuvendi, Strategjia e re e Arsimit 2026/32 dhe shumë të tjera. Portalb.mk ka grumbulluar ngjarjet më të rëndësishme që shënuan arsimin fillor, të mesëm dhe atë të lartë në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2025.
Arsimi fillor mes mungesës së librave, politizimit dhe alarmit për sigurinë
Shteti dështoi të sigurojë libra për të gjithë nxënësit, pavarësisht se Ministria e Arsimit në fillim të vitit e filloi procedurën për blerjen e tyre dhe u shpenzuan 11 milionë euro, jo të gjithë nxënësit u furnizuan me libra, këtë e pranoi edhe vet ministrja e Arsimit.
Kur jemi te librat, kopertina e librit të historisë për klasën e shtatë hapi debat të madh, Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në RMV kërkoi që ky libër të hiqet nga përdorimi pasi sipas tyre libri nuk është në përputhje me parimet e ndarjes së institucioneve fetare nga shteti.
Shkollat fillore edhe vitin që e lamë pas kishin mungesë stafit profesional si psikologë, sociologë, defektologë, pedagogë dhe të tjerë.
Politizimi i arsimit vazhdoi, vëmendje morën seancat gjyqësore të emërimet e paligjshme të drejtorëve në shkollat e Strugës nga ish-kryetari i komunës Ramis Merko. Raste të politizimit në arsim u raportuan edhe në vende tjera.
Çështje e haur mbeti siguria në shkolla në rast të zjarreve, ky alarm u ngrit pas tragjedisë së zjarrit në Koçan, ku më pas u raportua se në vend ka shkolla që janë të pasigurta në rast të zjarreve.
Arsimi i mesëm mes reformave në letër dhe dështimit në praktikë
Viti filloi me draft-konceptin për reforma në arsimin e mesëm. Megjithatë, derisa bisedohej për reforma, edhe këtë vit shumë nxënës mbetën pa libra, sidomos ata të drejtimeve profesionale.
Ngjashëm si shkollat fillore, edhe ata të mesme kishin mungesë stafit profesional si psikologë, sociologë, defektologë, pedagogë dhe të tjerë.
Siguria në shkolla mbeti çështje e hapur edhe në 2025, u raportua se ka shkolla që janë të pasigurta në rast të zjarreve, ndërsa vazhduan edhe kërcënimet e rreme të bombave, sa që në Tetovë nxënësit protestuan për moszbardhjen e autorëve.
Gjykata Kushtetuese në fillim të vitit ngriti procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë për themelimin e shkollës së mesme private “Medreseja Isa Beu”. Ndërsa më vonë në korrik, Kuvendi e miratoi ligjim i cili e mundëson akreditimin e kësaj medreseje.
Në kundërshtim me dispozitat ligjore për arsimin fillor dhe të mesëm, Ministria për Arsim dhe Shkencë nuk siguroi kushte për arsimimin e fëmijëve dhe të rinj të burgosur në qendrën korrektuese “Tetova” në Vollkovijë.
Maturantët shënuan rezultat më të lartë se vitin e kaluar, nota mesatare ishte 3,69 pak më e lartë se vitin paraprak kur ishte 3,26. Ndërsa u njoftua se inteligjenca artificiale do të futet në shkollat e mesme.

Arsimi i lartë mes korrupsionit akademik dhe standardit të dobët studentor
Viti filloi me lajme të mira për studentët, buxheti për standardin studentor u rrit me 18 përqind më shumë se vitin paraprak. U promovua edhe strategjia e re për arsimin e të rriturve 2025-2030.
Megjithatë, viti nuk vazhdoi me shumë lajme të mira në arsimin e lartë.
Universitetet e Maqedonisë së Veriut sërish mbetën jashtë listës prestigjioze të Shangait.
Lëvizje në arsimin e lartë shkaktuan edhe kontrollet e punës së fakulteteve dhe universiteteve, mbyllja e disa instituteve shkencore dhe përgatitja e një pakoje të re e ligjeve.
Studentët vitin e kaluar pavarësisht bursave të ndryshme dhe kuponëve studentorë, u përballën me çmime të larta të produkteve nëpër kafiteritë studentore.
Vendi nuk arriti të fitojë luftën me plagjiaturën në arsimin e lartë pasi biznesi me shit-blerjen e punimeve vazhdoi të lulëzojë online.
Përveç blerjes së punimeve, nëpër universitetet e vendit edhe vitin e kaluar vazhdoi shit-blerja e notave dhe provimeve që mbetet një nga problemet më të mëdha të korrupsionit në arsimin e lartë. Pavarësisht se studentët ankohen se profesorët ju kërkojnë para për të kaluar lëndën, ata nuk i raportojnë këto raste për shkak të frikës dhe mosbesimit. Institucionet nuk kanë të regjistruara raste ndërsa universitetet i inkurajojnë studentët që me fakte t’i paraqesin të korruptuarit.
Nuk u realizua premtimi për Erasmusin shqiptar në RMV siç u premtua para zgjedhjeve parlamentare.
Studentët gjatë vtitit akademik 2025/2026 mbetën pa dy konviktet kryesore, “Kuzman Josifovski – Pitu” dhe “Stiv Naumov” për shkak të rinovimit. Ndërsa për në disa konvikte tjera studentët patën ankesa për kushtet.
Kur jemi te konviktet, Enti Shtetëror i Revizionit zbuloi se konvikti Shtetëror Studentor në Tetovë u lëshua në përdorim pa kontroll teknik të objektit dhe pa miratim për kryerjen e veprimtarisë.
Radhët e gjata të pritjeve për regjistrim në konviktin ‘Goce Dellçev’ vazhduan edhe vitin 2025, ndërsa digjitalizimi në këtë fushë dështoi.
Një vit pas premtimeve, studentët filluan t’i marrin vauçerët shtetërorë në vlerë prej 15.300 denarësh për blerjen e pajisjeve elektronike. Megjithatë rrjetet sociale u vërshuan me postime në të cilat studentët shisnin vauçerët që kishin marrë, pasi për shumë nga ata me veuçerin nuk mundeshin të blenin laptop apo tablet të përshtatshëm për nevojat e tyre.
Forumi për Ndryshime në Arsim vazhdoi të raportojë shkeljet dhe korrupsionin në universitetet e vendit, kështu duke ushtruar presion publik mbi institucionet që të veprojnë ndaj këtyre rasteve. Kjo organizatë, mbajti edhe edicionin e dytë të Forumit Studentor ku nga aty nxorën në pah parregullsitë që duhet të zgjidhen në nivel rajonal.