RMV-ja harron diasporën shqiptare: Nga 13 mësimdhënës të dërguar, vetëm 3 janë shqiptarë

Asnjë mësimdhënës shqiptar nuk është angazhuar nga shteti i Maqedonisë së Veriut për diasporën e vendit në Zvicër edhe kur dihet se diaspora shqiptare është e koncentruar më shumë në Zvicër. Situata nuk është më ndryshe edhe në shtetet tjera. Momentalisht, nga gjithsej 13 arsimtarë të dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në diasporë në përgjithësi, vetëm 3 janë shqiptarë. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë për diasporën e Maqedonisë së Veriut del që të përkatësisë etnike maqedonase janë 24.45%, ndërsa shqiptarë janë 66.36%. Intelektualë shqiptarë kanë reaguar se po harrohet qëllimshëm diaspora shqiptare edhe atë nga një resor i cili është udhëhequr kryesisht nga ministra shqiptarë, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalbin ka ndarë numrin e saktë të mësimdhënësve dhe vendet ku ata veprojnë.

“Katër janë në Zvicër, përfshijnë vendet si: Vohlen, Arau, Cyrih (Erlikon), Baar, Surze, Lokarno, Varezi, Salexhi, Muralto, Solduno, Minuzio, Zhenevë, Danzh, Veve, Iverdon, Eshalan dhe Friburg. Shtatë në Gjermani, përfshijnë vendet si: Sindelfigen, Shtutgart, Faingen Enc, Ulm, Berlin- Sharlotenburg dhe Lihterfelde, Frankfur, Mainz, Hamburg me rrethinë, Bohum, Elendorf dhe Vupertal, Ravensburg, Fridrihshafen, Ulm i Ri, Lauphajm dhe Munih me rrethinë. Një i angazhuar në Francë, përgjegjës për: Kanteleu, Verno, Pantan me rrethinë; si dhe një mësimdhënës në Slloveni, i angazhuar për vendet si: Kranj, Nova Gorica, Koper, Lulbjanë, Divaca, Ajdovcina, Kozina Hrple”, thuhet në përgjigjen e Mnistrisë për Arsim. 

Burimet e Portalbit brenda Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës tregojnë se nga këto 13 mësimdhënës, vetëm 3 janë shqiptarë.

Profesori universitar dhe publicisti Emin Azemi ka alarmuar se deri më sot askush nuk e ka shpjeguar absurditetin e kësaj situate, ndërkohë që brenda këtyre 25 viteve në pozitën e ministrit të Arsimit në qeveritë e Shkupit kanë qenë 5 shqiptarë.

Emin Azemi, publicist/ Foto nga arkivi personal në Facebook
Emin Azemi, publicist/ Foto nga arkivi personal në Facebook

“Në Zvicër tash e mbi 20 vjet janë të angazhuar katër (4) arsimtarë maqedonas të cilët i ka dërguar shteti i Maqedonisë së Veriut, por nuk ka të angazhuar asnjë arsimtarë shqiptar. Diaspora shqiptare në Zvicër është në raport 10 ndaj 1 me diasporën maqedonase në këtë shtet, ndërkohë që në ambasadën e Maqedonisë në Bern kanë shkuar me mijëra kërkesa nga prindërit dhe shoqatat e ndryshme për angazhimin e arsimtarëve shqiptarë për nevojat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, kërkesa këto që asnjëherë nuk u morën seriozisht nga faktorët politikë e institucional në Shkup… Askush deri më tani nuk e ka shpjeguar absurditetin e kësaj situate, ndërkohë që brenda këtyre 25 viteve në pozitën e ministrit të Arsimit në qeveritë e Shkupit kanë qenë 5 shqiptarë! Dhe hala më hiç askush deri më tani nuk ka dhënë sqarim (lexo: llogari) se si ka qenë e mundur të dërgohen në Zvicër 4 arsimtarë maqedonas dhe asnjë shqiptarë(!)”, ka shkruar Emin Azemi.

Sipas profesorit, gjendja aspak më mirë nuk është edhe në shtetet tjera europiane, ku beteja në mes të integrimit dhe asimilimit, siç nënvizon profesori, po zhvillohet pa një strategji arsimore nga vendi i origjinës.

“Dhe ç’ është më keq kjo betejë po e humb terrenin nga ata (lexo: partitë shqiptare në Maqedoni) që po e bojkotojnë qëllimisht “fushëbetejën”, duke u bërë bashkëfajtorë të një krize identitare të diasporës sonë në një periudhë kohore që pason… Debati aktual në foltoren e Parlamentit të MV nuk ofron as për se afërmi përgjigje ndaj sfidave dhe nevojave që ka diaspora shqiptare përkitazi me problematikat e mësipërme, pa i anashkaluar edhe nevojat dhe interesat tjera reciproke… Nëse diasporën vazhdojmë ta trajtojmë vetëm si bankomat ose si një lopë qumështore, pa ofruar në këmbim kurrfarë benefiti, atëherë nuk do të jetë e largët dita kur diaspora shqiptare do të heq dorë nga statusi i të qenit “ rrogëtar” në një shtëpi ku mungon respekti dhe mirënjohja për kontributin e dhënë”, shkruan tutje profesori.

Nga ana tjetër, Kasam Selimi, gazetar dhe aktivist, i cili jeton dhe vepron në Zvicër në një prononcim për Portalb.mk, ka deklaruar se mërgata shqiptare nga Maqedonia e Veriut organizohet për mësim të gjuhës shqipe me vetëfinancim.

Kasam Selimi, gazetar/ Foto: Nga arkivi personal në Facebook
Kasam Selimi, gazetar/ Foto: Nga arkivi personal në Facebook

“Në Zvicër, mësimi i gjuhës shqipe, sidomos nga fillimi i viteve të 90-ta bëhet falë angazhimit vullnetarë të mërgatës shqiptare, nëpërmjet Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë – LAPSH-it. Që atëherë dhe sot, kostot financiare të organizimit të mësimit plotësues – mësimit të gjuhës amtare janë barrë e vet familjes/ve. Bashkatdhetarët tanë kanë mungesë informacionesh të mundësisë që shteti, në këtë rast Maqedonia e Veriut obligohet të organizoj mësimin në gjuhën amtare në shtet ku jetojnë për shtetasit e saj. Për shembull, mungojnë informacionet fillestare se si mund të vjen deri te shfrytëzimi i këtij shërbimi, çfarë, si dhe ku të drejtohen bashkatdhetarët. Prandaj, gjëja e parë çfarë duhet të ndërmerret nga institucionet shtetërore është të fillojnë me informimin dhe sensibilizimin e mërgatës”, tha Selimi.

Jozyrtarisht, thotë tutje Selimi, në Zvicër jetojnë mbi 100 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe prej tyre rreth mbi 80 % përqind janë shqiptarë dhe deri më tani s’ka të angazhuar asnjë mësues/e shqiptar/e të angazhuar nga shteti, e ndërkaq te një përqindje e shumëfish më e vogël e diasporës maqedonase, shteti ka angazhuar 4 mësues maqedonas.

Kujtojmë se, sipas Ligjit për arsim fillor, për fëmijët e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që banojnë në jashtë vendit, organizohen orë mësimore për të mësuar gjuhën dhe kulturën maqedonase, ndërsa për anëtarë të komuniteteve që flasin një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut ju organizohet mësim në gjuhë amtare.