Kulturë sezonale dhe neglizhencë institucionale: Si do të mbahet mend kultura në vitin 2025?
Vdekja e Shpat Kasapit do të mbahet mend si momenti më kulminant dhe më i hidhur në fushën e kulturës gjatë vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut. Ashtu si në vitet e mëparshme, edhe gjatë vitit që lamë pas, kultura funksionoi në mënyrë sezonale, me shumë aktivitete gjatë periudhës së pranverës dhe vjeshtës. Jeta kulturore u karakterizua nga mungesa e koordinimit institucional, aktivitete që u realizuan në të njëjtën periudhë, për t’u pasuar nga javë e madje muaj pa asnjë ngjarje. Artistëve u mungoi përkrahja institucionale, Portalb.mk sjell një reflektim se si do të mbahet mend kultura në vitin 2025.
Pak javë para përfundimit të vitit, lajmi për ndarjen nga jeta të Shpat Kasapit shënoi një humbje të madhe për muzikën dhe kulturën shqiptare. Vdekja e tij papritur nga një sulm në zemër në moshën 40 vjeçare e tronditi të gjithë publikun shqiptar anembanë botës.
Përgjatë vitit 2025, kultura humbi edhe krijues të tjerë, artistë, aktorë, muzikantë dhe punëtorë të heshtur të artit, të cilët për vite me radhë kishin kontribuar në ndërtimin e identitetit kulturor.
Këto humbje rikujtuan rëndësinë e vlerësimit të vazhdueshëm të krijuesve, jo vetëm pas ndarjes së tyre nga jeta, por edhe gjatë kohës kur ata kontribuojnë aktivisht në jetën kulturore. Artistët, aktorët, muzikantët dhe punëtorët e heshtur të artit mbeten shtylla të identitetit kulturor të vendit, ndërsa mungesa e vlerësimit daj punës dhe kontributit të tyre vazhdon të mbetet një sfidë.
Viti që kaloi dëshmoi edhe një herë se kultura në Maqedoninë e Veriut mbijeton më shumë falë përkushtimit të artistëve sesa falë mbështetjes së mirëfilltë të institucioneve.
Pavarësisht se jeta kulturore ishte e pasur me shumë koncerte, shfaqje, ekspozita, festivale, filma, libra, mbrëmje letrare, punëtori të ndryshme dhe shumë të tjera, kryesisht mungoi koordinimi midis institucioneve, sidomos teatrove ku për një periudhë të shkurtër pati disa festivale teatrore njëkohësisht në qytete të ndryshme.
Edhe në vitin 2025 artistët dhe fusha e kulturës u përballën me mungesë të përkrahjes financiare dhe jo vetëm nga ana e institucioneve, problem të cilin shumë personalitete nga fusha e kulturës e kanë theksuar në intervistat që dhanë për Portalb.mk.

Një nga sfidat më të mëdha ishin buxhetet e kufizuara, shpesh të pamjaftueshme për projekte serioze afatgjate, kryesisht për artistët e pavarur.
Në vitin 2025, kultura në Maqedoninë e Veriut nuk u përball vetëm me mungesë financimi, por edhe me një problem të thellë e të dukshëm, teatrot, sallat e koncerteve, shtëpitë e kulturave dhe hapësirat alternative në shumë qytete vazhdojnë të jenë të amortizuara, teknikisht të papërshtatshme dhe shpesh të pasigurta. Infrastruktura e vjetërsuar, mungesa e investimeve në pajisje teknike dhe kushtet bazike jo dinjitoze e vështirësojnë realizimin e aktiviteteve kulturore cilësore.
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nuk u përfundua as vitin që lamë pas, nuk ka afat konkret se kur ky objekt do t’i hapë dyert për publikun.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive të shumta, viti 2025 dëshmoi se kultura në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e gjallë dhe rezistente. Përkushtimi i artistëve, iniciativat e pavarura dhe angazhimi i komuniteteve kulturore bënë të mundur që koncertet, shfaqjet, ekspozitat dhe aktivitetet artistike të bëjnë bashkë publikun dhe të mbushin dhe shpesh të stërmbushin sallat.
Viti 2026 hap një sërë pyetjesh thelbësore për politikat kulturore në vend: a do të ndërtohet më në fund një strategji e qëndrueshme për zhvillimin e kulturës, a do të përmirësohet koordinimi ndërinstitucional dhe a do të sigurohen kushte më dinjitoze për artistët, veçanërisht për krijuesit e pavarur? Po ashtu, mbetet e paqartë nëse do të ketë investime konkrete në infrastrukturën kulturore dhe në projekte afatgjata, si dhe nëse objektet e shumëpritura, përfshirë Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, do të përfundojnë dhe do të hapen për publikun. Përgjigjet ndaj këtyre çështjeve do të përcaktojnë jo vetëm drejtimin e kulturës në vitin që vjen, por edhe seriozitetin e institucioneve ndaj saj.