Nga “Taksisti”: Antopologji migracioni (II)

Termi migrant sipas Khosravit shenjon një realitet social të fabrikuar, mospërkatësinë, tjetrizimin, metaforën e autoritetit epistemik që fabrikon këtë kategori sociale. Ky autoritet, që synon ta shkatërrojë gjendjen e pluralitetit human që është bazike për jetën njerëzore, nuk i njeh migrantët. Migranti në sistemet e sodit të shoqërisë perëndimore është kategori administrative, është njëjësi e imponuar (imposed singularity), huajësi e esencializuar, është mohim i subjekteve njohëse, zhvlerësim i kapacitetit të njohësit, padrejtësi konjitive, racializim. Migranti, kjo qenie vulnerabile, konsiderohet vetëm si burim i të dhënave empirike, jo kategori aktive e teorizimit.

Vulnerabiliteti i shkelësve të kufirit dëshmohet më së miri përmes animalizimit të tyre: coyote (kojotë) për trafikantin dhe pollos (pula) për meksikanët që kalojnë kufirin; shetou (kokëgjarpërinj) për trafikantët kinezë dhe renshe (gjarpërinj njerëzorë) për kinezët që trafikohen. Iranianët zakonisht përdorin termat gosfand (dele) ose dar poste gosfand (në lëkurë deleje) për t’iu referuar kalimtarëve ‘ilegalë’ të kufirit. Migrantët trajtohen me terma pulash dhe dhensh – dy kafshë që në disa kultura sakrifikohen në rituale; pra, shkelësit e kufirit janë krijesa sakrifikuese për ritualin e kufirit. (Khosravi, 2008)

Në këtë moment politikisht të thyeshëm, udhëtarët e ilegalizuar apo shkelësit e kufijve (border transgressors) që nuk lidhen me identitetin por me përpjkejen, përballen me kufijtë dhe praktikat kufitare abuzuese. Ata kalojnë nga errësira e vendit nga i cili arratisen, në atë të vendit që i pret, ikin nga njëra për t’u përballur me një tjetër. Këta njerëz në lëvizje (people on the move) që kërkojnë hapje (openness) dhe liri (freedom), zhvillojnë luftën për mbijetesë. Pjesëtarët e kësaj kategorie storja jetike e të cilëve tentohet të shndërrohet në gjuhë juridike eurocentrike, etiketohen si persona me rroba të pista, që duken si të pikëlluar dhe të trishtuar thellësisht (Khosravi 2010, 33). Ata bëjnë kalimin kufitar të rrezikshëm, ballafaqohen me lëndimin fizik, persekutimin dhe vdekjen, me kontrabadistët, me përfshirjen përjashtuese (inclusive exclusion). Ata zhvillojnë punë të padokumentuar, bëjnë tentativa sizifiane për akces në punën legale.

Shembuj të migracionit të kohës sonë janë refugjatët sirianë që si pasojë e luftës qytetare u shpërngulën në Turqi, Liban, Jordan, vende të ndryshme europiane që, për dallim nga ata ukrainianë, shkaktuan gjithandej shpërthime të ksenofobisë dhe islamofobisë. Pranvera arabe dhe Kriza e Refugjatëve 2015 -2016 (Hungari dhe gjetiu) sollën frymën e sloganeve infitah, azadi, të hapjes dhe çlirimit. Kjo vonesë e qëllimshme është “një teknikë për t’u vjedhur kohën njerëzve, me qëllim që t’i mbash ata në pozita më të ulëta brenda hierarkive. Kjo është aq e dukshme në Palestinë, me palestinezët që presin në radhë të gjata në pikat e kontrollit…

Migracioni që sipas sociologut argjentinas Javier Auyero prodhon “pacientë të shtetit”, që presin nga shteti, për shqiptarët ka qenë një proces i vazhdueshëm historik dhe shoqëror, i nxitur nga faktorë ekonomikë, politikë dhe socialë. Shembuj të hershëm janë migrimet e shqiptarëve drejt Italisë së Jugut (arbëreshët) gjatë shekujve XV–XVI në kohën e perandorisë  osmane. Në shekullin XX, migracioni u intensifikua me shpërnguljet drejt Turqisë, SHBA-së dhe Evropës Perëndimore. Pas viteve 1990, rënia e komunizmit solli një valë masive emigrimi drejt Greqisë, Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, kryesisht për arsye ekonomike. Po ashtu, lufta e Bosnjës dhe ajo e Kosovës (1998–1999) prodhuan migrim të detyruar dhe refugjatë drejt vendeve evropiane. Sot, migracioni shqiptar përfshin edhe lëvizje arsimore dhe profesionale, duke mbetur një element kyç i formësimit të shoqërisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Sipas Khosravit (2021), në përgjithësi, migrantët e shekullit tonë janë trupa pritës (waiting bodies) në regjime diktatoriale dhe kufitare, që duhet të presin për vizë, ushqim, akces në qytet e të ngjashme. Sociologu në fjalë flet për kufizimin kohor, për vonimin e njerëzve, për mbajtjen e tyre në pritje, në radhë para ambasadave, përgjatë kufijve të shteteve evropiane etj. Siç u shpreh Pierre Bourdieu, kjo është një formë dominimi: t’i mbash njerëzit në pritje pa ua shuar (shkatërruar) shpresën. Ti u thua atyre: ‘Kthehu nesër’. Kjo lidhet edhe me fjalët arabo-persiane sabori, që do të thotë të vuash me durim, të durosh dhe të mos ankohesh. E njëjta gjë vlen edhe për latinishten patiens, që do të thotë të vuash dhe të durosh. Ky është fati i atyre që nuk janë të bardhë dhe të pasur. Ky lloj vonimi (vonese e qëllimshme) është një teknikë për t’u vjedhur kohën njerëzve, me qëllim që t’i mbash ata në pozita më të ulëta brenda hierarkive shoqërore. Ky reflektim prek një nga konceptet më të fuqishme të filozofisë së kohës dhe rezistencës politike. Ndarja midis kohës që “na zotëron” dhe kohës që “ne zotërojmë” është thelbësore për lirinë. Shumë njerëz janë duke pritur për Kairos—kohën kualitative përkundër asaj sasiore, Kronos, ato momente kur mund të bëjnë diçka për situatën e tyre. Është pikërisht kjo kohë revolucionare që njerëzit po presin në vendet nën diktaturë, apo palestinezët nën pushtim. (Khosravi, 2021)

Në epokën e re të errësirës, të new darktime, të dërrmimit të së vërtetës, kufijtë duhet të trajtohen përtej akademisë së vijës kryesore, migrantët  duhet të trajtohen jo vetëm si objekt i paragjykuar dhe linçuar, por si prodhues dijeje. Duhet të ndodhë fenomeni i asaj që Janine Dahinden, nga Universiteti i Neuchâtel-it, studiuese e njohur zvicerane në fushën e etnisë dhe migracionit, që ka shkruar mbi identitetet dhe migracionin e grupeve etnike, përfshirë shqiptarët në Zvicër, e ka quajtur demigranticizim (demigranticize). Ky term i referohet përpjekjes për të mos i trajtuar më ‘migrantët’ si një kategori të veçantë, të mbyllur apo si një kategori a priori për qëllime studimore ose politike; për të mos i etiketuar dhe tjetrizuar, për të denatyralizuar distinksionin qytetar-migrant. (Dahinden, 2022) Në vend të migrantcizimit, synohet që lëvizshmëria njerëzore dhe përkatësia të shihen përmes thjerrëzave më të gjera shoqërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre