Viti që shkoi studentëve në RMV u solli shpenzime më të larta, shumë premtime dhe pak ndryshime të dukshme

Edhe pse Qeveria e re foli për reforma, rritje të buxheteve dhe “rikthim të dinjitetit” në arsim, përditshmëria e studentëve dhe gjendja e universiteteve tregojnë se ndryshimet janë të ngadalta dhe jo mjaftueshëm të dukshme. Viti që shkoi e nxori në pah kontrastin mes njoftimeve zyrtare dhe përvojës reale të studentëve. Në Raportin e Progresit për Maqedoninë të publikuar nga Komisioni Evropian në vitin 2025 për fushën e arsimit dhe kulturës vendi u vlerësua si mesatarisht i përgatitur, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në vitin akademik 2024/2025 numri i studentëve të regjistruar ishte 53.535, që është një rritje prej 2,33% krahasuar me vitin e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i studentëve 59,3% janë femra. Numri më i madh i studentëve, ose 76,8%, studiojnë në universitetet shtetërore, ndërsa pjesa tjetër janë të regjistruar në institucione private të arsimit të lartë.

Sipas Komisionit Evropian pavarësisht rritjes së lehtë të numrit të studentëve një nga sfidat kryesore mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë, si dhe përforcimi i sistemit të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë.

Vaktet e subvencionuara për studentët, zgjerim i shtrirjes në vend të rritjes prej 10 denarë

Çështja e vakteve të subvencionuara për studentët mbeti një nga temat kryesore në vitin 2025. Pavarësisht kërkesave të studentëve shuma prej 140 denarësh për ushqim mbeti e pandryshuar. Këtë vit, në vend të rritjes së shumës, u mor vendimi për zgjerimin e shtrirjes të studentëve që i marrin këto para.

Në muajin prill u miratuan ndryshimet ligjore që e zgjeruan shtrirjen e studentëve që kanë të drejtë për vakte të subvencionuara për studentët, ndërsa sipas ndryshimeve ligjore e drejta për vakte të subvencionuara tani i përfshin edhe studentët e rregullt të regjistruar në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve, si dhe në studimet e integruara në universitetet shtetërore dhe private në vend, të cilët janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe që nuk kanë të ardhura mujore mbi asnjë bazë më të larta se paga minimale neto për vitin aktual.

Me fjalë të tjera, tani nuk është më kusht që studentët të mos jenë të punësuar të rregullt dhe të mos jenë të regjistruar si fermerë individualë.

Organi kombëtar i studentëve, i cili përfaqëson të gjithë studentët në vend, në muajin shtator përmes një kumtese me shkrim kërkoi që shuma për vaktin e subvencionuar të rritet nga 140 në 150 denarë.

“Sipas Ligjit për Vaktet e Subvencionuara të Studentëve, shuma përcaktohet në përputhje me shkallën e inflacionit pas çdo viti fiskal dhe para miratimit të Buxhetit republikan për vitin pasues. Shuma për vaktin e subvencionuar për herë të fundit pësoi ndryshime në vitin 2023 kur u rrit nga 120 në 140 denarë”, thuhej në deklaratën e Organit kombëtar të studentëve.

Krahas pagesës së participacionit në vitin 2025 fakultetet prezantuan tarifa shtesë për studime që në fakultete të caktuara arritën deri në 5.000 denarë. Këto shpenzime u justifikuan si financa që u nevojiteshin fakulteteve për ta vazhduar funksionimin dhe studentëve iu prezantuan si “burime online” dhe “shpenzime materiale”.

Parlamentet studentore paralajmëruan se një praktikë e këtillë e bën arsimin e lartë më pak të qasshëm për studentët që vijnë nga mjedise me kapacitete më të dobëta ekonomike.

Edhe Forumi për Ndryshime në Arsim e dënoi vendimin e Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) për të prezantuar tarifa shtesë për studentët.

Nga Forumi deklaruan se së bashku me shpenzimet shtesë dhe tarifat e tjera të prezantuara për “eksploatim financiar të studentëve”, pagesa për një vit akademik në këtë universitet arrin rreth 500 euro.

“Çdo gjë që është e detyrueshme për studentët duhet të sigurohet pa kërkuar mjete shtesë prej tyre. Përveç kësaj për shumicën e lëndëve nuk përdoren materiale për mësim praktik, sepse shumica e laboratorëve nuk kanë kushte, ndërsa mësimi praktik shndërrohet në leksione, duke ua mohuar kështu studentëve të drejtën për të zhvilluar aftësi praktike”, reagojnë nga Forumi.

Edhe krahas reagimeve një numër i madh i fakulteteve vazhduan me aplikimin e tarifave shtesë.

RMV-ja nuk ka përfaqësues në mesin universiteteve më të mira në botë

Pas shumë njoftimeve për përparim dhe promovim të arsimit të lartë, në vitin 2025 UKM ra nga lista e 2.000 universiteteve më të mira në botë sipas Qendrës për Rangimin e Universiteteve Botërore (CWUR).

Në vitin 2024 UKM ishte në vendin e 1.990-të në listë, por në vitin 2025 Maqedonia për herë të parë pas shumë vitesh mbeti pa një përfaqësues mes më të mirëve.

Qendra për Rangimin e Universiteteve Botërore (CWUR) i rangon universitetet sipas arsimit, punësimit të ish-studentëve, përsosmërisë akademike dhe performancës hulumtuese. Ky rangim është një nga më të mëdhatë dhe më objektivët, pasi nuk përdor anketa dhe nuk kërkon aplikim.

Universiteti i Beogradit u pozicionua në vendin e 387-të në tabelë, ndërsa Bullgaria dhe Sllovenia kanë nga 2 fakultete secila në këtë listë.

Universitet nga Maqedonia në vitin 2025nuk ishte as në listën e Shangait, ashtu siç nuk ka pasur për vite me radhë.

Si pjesë e masave për përmirësimin e standardeve të studentëve, pas një njoftimi njëvjeçar, më 17 nëntor të vitit 2025 filluan aplikimet për vauçerë me vlerë 250 euro për blerjen e pajisjeve elektronike. Studentët e ciklit të parë kishin afat deri më 30 dhjetor për të blerë kompjuterë, tablete ose laptopë nga dyqane të zgjedhura në të gjithë vendin.

Që para se të fillonte shpërndarja e vauçerëve studentët e ciklit të dytë të studimeve u ankuan se masa ishte diskriminuese dhe se edhe ata duhet të merrnin vauçer sepse edhe ata ishin studentë.

Edhe pse masa nuk ishte e dedikuar për ta, një numër studentësh të ciklit të dytë raportuan se kishin arritur të merrnin vauçerë përmes platformës uslugi.gov.mk. Menjëherë pas kësaj, ata u njoftuan se vauçeri i tyre ishte anuluar.

Nga Qeveria siguruan se asnjë student ciklit të dytë nuk ka marrë vauçer, por se ishte një gabim sistemik dhe se asnjë student që i plotëson kushtet nuk do të mbetej pa vauçer.

Viti 2025 nxorri në pah se arsimi i lartë në Maqedoni është në një fazë dialogu të vazhdueshëm, por ka pak veprim. Edhe pse janë hapur tema, janë identifikuar problemet dhe janë rritur buxhetet, studentët nuk kanë ndjerë ndonjë përmirësim të kushteve.

Pyetja që mbetet e hapur është nëse viti 2026 do të sjellë më në fund ndryshime sistemike apo arsimi do të vazhdojë të mbijetojë falë entuziazmit të studentëve.