Edhe këtë vit akademik, studentët në RMV do të mbeten pa dy konviktet kryesore 

Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi vitin e kaluar se “studentët vitin e ardhshëm akademik do duhet të zhvendosen në konviktet e rinovuara në Shkup”, konkursi për akomodim 2025/2026 tregon diçka krejtësisht të ndryshme: konvikti “Kuzman Josifovski – Pitu” përsëri nuk është në listë, njoftoi sot Studentarija, transmeton Portalb.mk.

Studentaria thekson se edhe pas më shumë se dy vitesh dyer të mbyllura, studentët nuk do të mund të kthehen në këtë konvikt, pavarësisht garancive të shumta nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Rinovimi i “Kuzmani Josifovski – Pitu” filloi në prill të vitit 2024, dhe ministrja Vesna Janevska deklaroi se rindërtimi do të përfundonte më së voni brenda 18 muajsh, pra deri në tetor të vitit 2025. Por njoftimi i fundit për vende të lira nga Ministria tregon se konvikti është përsëri jashtë funksionit.

Njëkohësisht, konvikti studentor “Stiv Naumov”, i cili është gjithashtu në fazën e rinovimit, do të mbyllet për vitin e dytë akademik. Kështu, dy nga konviktet më të rëndësishme studentore në Shkup mbeten të paarritshme për studentët, të cilët përballen me një mungesë serioze të hapësirës së përshtatshme për banim gjatë studimeve të tyre.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dje shpalli konkurs për pranimin e studentëve të regjistruar në studime universitare në konviktet shtetërore dhe private studentore për vitin akademik 2025/2026.

Studentët mund të aplikojnë për akomodim në 11 konvikte studentore shtetërore dhe private, dhe gjithsej janë në dispozicion 4,264 shtretër, nga të cilët 851 janë të siguruar për studentët e vitit të parë, ndërsa 3,413 shtretër janë të siguruar për studentët e vitit të dytë deri në të gjashtë.