Gjimnazi në protestë para Policisë në Tetovë, kërkojnë zgjidhje: Disa herë alarme për bomba brenda një muaji

Nxënësit e Gjimnazit të Tetovës ‘Kiril Pejçinoviq’ së bashku me profesorët, prindërit dhe drejtorinë e shkollës sot kanë protestuar para Stacionit të Policisë në Tetovë për shkak të moszbardhjes së tetë alarmeve të rrejshme për bomba gjatë muajit të fundit, shkruan Portalb.mk.

Nxënësit kërkojnë që ky problem të zgjidhet pasi humbin mësimin.

“Me mosmbarëvajtjen e mësimit, dëmi më i madh bie mbi nxënësit, gjë që nuk është e pranueshme nga ana jonë, kërkojmë nga organet kompetente të arrin masa të menjëhershme”, tha një nxënës.

“Çdo ditë janë duke na lodhur nuk mund të mbajmë mësim”, tha një nxënës tjetër.

“Kemi ardhur për shkak të alarmeve të bombave që vijnë këtu te Gjimnazi i Tetovës, me të vërtetë na kanë lodhur u bë e tepërt është hera e shtatë apo e teta, jemi të gjithë të lodhur prej kësaj situate që është duke u bërë këtu te gjimnazi”, tha një nxënës.

Drejtori i Gjimnazit të Tetovës, Jeton Kamberi tha se protesta e sotme nuk është bojkot i mësimit por revoltë e nxënësve, arsimtarëve, prindërve dhe udhëqeësisë së shkollës.

“Kjo është e patolerueshme, nuk kemi asnjëfarë përgjigje nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme. SPB Tetovë nuk është duke dhënë ndonjëfarë përgjegjësie, llogarie edhe pse ata vijnë vazhdimisht e bëjnë punën e vetë. Megjithatë njerëzit kompetent që duhet të vijnë për mbikëqyrjen e objektit , të antiterrorit nuk ka, vazhdimisht presim”, tha Kamberi.

Portalb.mk kërkoi nga Ministria e Brendshme se pse nuk janë zbardhur këto alarme të rreme, por deri në publikimin e tekstit nuk morëm përgjigje.

Ndryshe, kërcënime me bomba nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme.

Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.