Një vit pa përparim, pa (barazia) gjinore në Maqedoninë e Veriut gjatë 2025

Viti 2025 përfundoi si një periudhë ku (pa)barazia gjinore mbeti në hije të krizave institucionale dhe proceseve politike. Gratë në Maqedoninë e Veriut vazhduan të përballen me mungesë përfaqësimi, dhunë, diskriminim, pabarazi, gjuhë të urrejtjes dhe shumë probleme të tjera. Këto janë ngjarjet kryesore që shënuan këtë fushë gjatë vitit të kaluar, shkruan Portalb.mk 

Viti 2025 në Maqedoninë e Veriut nisi me alarm për dhunën ndaj grave, duke u shënuar që në fillim me raste të dhunës dhe vrasje të grave. Edhe në vitin 2025, pavarësisht deklaratave politike dhe zotimeve publike, barazia gjinore mbeti kryesisht vetëm në letër dhe në deklarata. Viti përfundoi pa miratimin e Strategjisë Kombëtare 2026–2033 kundër dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje, ndonëse përgatitjet kishin nisur që në tetor 2024. 

Në këtë drejtim, Komisioni Evropian ritheksoi se vendi nuk ka shënuar përparim të dukshëm në barazinë gjinore, duke evidentuar pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës, përfaqësimin e kufizuar në pozita udhëheqëse dhe mungesën e mbështetjes efektive për viktimat e dhunës me bazë gjinore. 

Edhe Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit konstatuan se masat për mbrojtjen e viktimave nuk janë mjaft efektive dhe se pas skadimit të strategjisë së mëparshme, zbatimi i Konventës së Stambollit mbeti i kufiziuar.

8 Marsi edhe këtë vit u shënua me protestë. Me slogane që kërkonin barazi, drejtësi dhe fund të dhunës, qytetarët protestuan kundër shtypjes sistematike dhe diskriminimit gjinor, duke kërkuar ndryshime reale dhe jo vetëm premtime politike. 

Dhuna mori vëmendje edhe gjatë fushatës globale “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” ku theksuan sërish se dobësitë institucionale të cilat rrezikojnë mbrojtjen e grave dhe vajzave në vend. 

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 dëshmuan sërish pabarazinë gjinore në politikë. Nga gjithsej 315 kandidatë për kryetarë komunash, vetëm 32 ishin gra, ndërsa vetëm katër gra arritën të zgjidhen kryetare komunash. Asnjë grua shqiptare nuk u kandidua për këtë pozitë. Edhe pse në listat për këshilltarë komunalë numri i grave ishte më i lartë për shkak të kuotave, përfaqësimi real dhe ndikimi i tyre në vendimmarrje mbetet i kufizuar. 

Përfaqësimin e grave në vendimmarje dhe politikë e theksuan edhe raporte dhe analiza të ndryshme.

Ilustrim: Djalë dhe vajzë. Foto: Tim Mossholder në Canva
Ilustrim: Djalë dhe vajzë. Foto: Tim Mossholder në Canva

Gjuha e urrejtjes me bazë gjinore mbeti problem serioz edhe gjatë vitit 2025. Sipas Raportit të Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes në Maqedoninë e Veriut, gratë, veçanërisht ato në politikë dhe jetë publike, vazhduan të sulmohen në media dhe rrjete sociale, shpesh përmes komenteve seksiste, stereotipeve dhe sulmeve ndaj jetës private. 

Edhe pse ligji parashikon pagë të barabartë për punë të barabartë, hendeku gjinor në paga mbeti i pranishëm në tregun e punës. Në Ditën Ndërkombëtare të pagës së barabartë u theksua se gratë vazhdojnë të jenë më pak të përfaqësuara në pozita vendimmarrëse. 

Gjatë vitit 2025, Maqedonia e Veriut u bë pjesë e Programit të Bashkimit Evropian “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” (CERV), i cili synon forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Megjithatë, raportet ndërkombëtare vazhduan të jenë kritike. 

Edhe pse u shënuan disa iniciativa dhe aktivitete në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare, viti 2025 tregoi se barazia gjinore në Maqedoninë e Veriut mbetet sfidë serioze. Pa reforma konkrete, vullnet politik dhe zbatim real të ligjeve, problemet e vjetra vazhdojnë të përsëriten nga viti në vit.

Në vitin 2026, sfida kryesore mbetet kalimi nga deklaratat në veprime konkrete. Miratimi dhe zbatimi real i Strategjisë Kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore, forcimi i mbrojtjes institucionale për viktimat, rritja e përfaqësimit të grave në vendimmarrje dhe ngushtimi i hendekut gjinor në tregun e punës do të jenë test i vullnetit politik. Pa reforma të matshme dhe përgjegjësi institucionale, 2026 rrezikon të jetë një përsëritje e problemeve të vjetra.